Ditën e sotme, vlera e shoqërisë aksionere është rritur edhe më shumë sepse janë shtuar kapitalet e saj edhe me një shumë tjetër. Bëhet fjalë për 250 milionë lekë të vjetra të cilat me vendimin të Këshillit Bashkiak Shkodër janë shtuar si vlerë kapitali themeltare në emetim të aksioneve të reja në favor të KF Vllaznia sh.a. Kjo shumë do transferohet nga buxheti i Bashkisë në dy këste, i pari prej 150 milionë lekësh brenda tremujorit të parë të vitit 2012 dhe kësti i dytë prej 100 milionë lekësh brenda tremujorit të dytë të vitit 2012. Shuma e kaluar sot për llogari të shoqërisë aksionere, do të shërbejë si aksione teksa janë shtuar 25 mijë aksione të reja, me vlerë nominale të një aksioni, të pandryshuar prej 1 mijë lekësh të reja për aksion. Disa nga këshilltarët e Bashkisë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me këto fonde që vazhdojnë të kalojnë për futbollin. Këshilltari Erogen Brajoviç ka kërkuar që administratori i shoqërisë aksionere Vllaznia apo drejtori sportiv i saj, duhet të vijnë në mbledhjet e Këshillit për të raportuar për punën që bëhet dhe pse skuadra nuk ka rezultatet e duhura. Ndërsa këshilltari tjetër Luan Heta, ka shkuar edhe më tej teksa ka thënë: “Në çdo mbledhje po dëgjojmë vetëm shprehjet Vllazni, aksione, kapitale, lekë. Besoj se po i kushtojmë më tepër rëndësi sesa duhet këtij sporti. Ndërkohë që kemi shumë lloje sporti të tjerë që nuk kanë fondet e duhura dhe vetëm me 1/10 e kësaj shume që po japim për futbollin, po t’ua kalojmë atyre, dalim kampionë Shqipërie dhe na nderojnë. Duke investuar në këto sportet e tjera, sportistë si Elis Guri nuk kanë nevojë të shkojnë dhe të ngrenë flamurin e shteteve të tjera”. Megjithatë, edhe vlera e planifikuar, me miratimin e shumicës së këshilltarëve ka kaluar tashmë si kapital i shoqërisë aksionere Vllaznia. Duke qenë kështu, edhe me këtë shumë të shtuar, kapitali i përgjithshëm i “KF Vllaznia sh.a”, ka shkuar në 3 miliardë e 19 milionë lekë të vjetra dhe numri i aksioneve është rritur në 301900 aksione, me vlerë nominale prej 10 mijë lekësh të vjetra një aksion.

www.shkodrasport.com