“Me kanë mbetur borxh. Borxhi është rreth 1.000 euro”, thotë për gazetën “Bota sot” Tuad Drinazi. Drinazi do të ankohet edhe në Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV).

Volejbollisti shkodran Tuad Drinazi, shpreh shqetësimet e tija, me rastin e paprecedent që i ndodhi në klubin e Skënderbeut të Krajishtës nga Lipjani.

Drinazi as në ëndërr nuk e pa se do të largohet nga ekipi papritur, sipas tij kjo ishte përgjigja: Nuk kemi para si klub.
Ish- volejbollisti i Vllaznise e pranon se nuk ka pasur kontratë me klubin e Skënderbeut, që garon në Superligën A të Kosovës, por nuk e ka pritur një sjellje të tillë nga ana e tyre.

Ai tha se u larguan në kohën kur nuk mund të shkojnë askund deri në sezonin e ri, ndërsa kërkon që të ndërhyjë Federata e Volejbollit e Kosovës dhe të ruajë imazhin e këtij sporti. Drinazi ne nje interviste per “Bota Sot” ka treguar se i mbeten borxh dhe do të ankohet edhe në Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV).


– Cilat janë arsyet që jeni larguar nga Skënderbeu?

Unë jam një sportist që vij nga Shqipëria dhe kam luajtur që nga fillimi i fazës së parë dhe deri javën që kaloi tek ekipi i Skënderbeut. Unë këtu tek ky ekip kam ardhur që t’i ndihmoj këtë ekip sepse vij nga një kampionat më i fortë.

Në fazën e parë të kampionatit çdo gjë ishte e mirë dhe korrekte nga ana e tyre, por tani në fazën e dyte ndryshuan gjërat. Në fazën e dytë të kampionatit kur biseduam, folëm për 10 ndeshje të fazës së dytë.

Ekipi Skënderbeut i pa gjërat që nuk mundem mi mposht gjitha ekipet në Kosovë dhe e ka pa të arsyeshme me na largu ose mos me qenë më pjesë e ndeshjeve të tyre për shkak se nuk ka gjasa as në Play – Off me luajt dhe mos të shpenzojnë më shumë për 6 ndeshjet që kanë mbetur. Ky, pra është sistemi i keq për sportistët.

Unë nuk e kuptoj këtë gjë nga ekipi i Kosovës si i dëmton lojtarët e huaj që vijnë e luajnë atje?! Këtu duhet të ndërhyjë dhe federata e Volejbollit e Kosovës në këtë çështje për shkak të mos prishjes së imazhit të volejbollit të Kosovës.

– Sa iu ka mbetur borxh?

Edhe 6 ndeshje kam pasur të bëj. Me kanë mbetur borxh. Borxhi është rreth 1.000 euro.

– Tani?

Çfarë të them, këto me lanë pa sport deri sezonin tjetër.


– A do të ankoheni edhe në CEV?

Po, do të ankohem.

– Iu kanë premtuar se do të shlyhet borxhi, cila është përgjigja?

Jo, me kanë thënë se nuk kemi para, nuk do të vijnë 6 javët tjera. Kishim folur për 10 ndeshje, 4 i kemi luajtur, 6 jo. Tani nuk mundem të lozim askund më. Kemi qenë dy lojtarë, unë dhe Klaudio Preka.

– Për fund?

Unë ia sigurova Superligën A dhe pasi e siguruan këtë me thanë ik, sepse nuk kemi më para dhe na vjen keq. Këtë e dijnë gjithë që mbeten falë meje aty në atë ligë. Por sezonin tjetër do të jenë në Superligën B ose në divizionin 1.