Dinamo do të përballet me Teutën në ndeshjen e javës së 21-të të Abissnet Superiores, një sfidë e cila do të luhet ditën e nesërme në “Elbasan Arena”, ora 16:45.

“Blutë” nuk po kalojnë një moment aspak të mirë në kampionat, ku madje rrezikojnë edhe mbijetesën.

Në konferencën për shtyp ka folur zëvendës-trajneri i “bluve” Erjon Xhafa, që ka analizuar momentin e skuadrës dhe ka treguar objektivat në këtë sfidë.

“Dinamo duhet të shohë ndeshjet javë pas jave. Shenjat në stërvitje janë të mira. Na mbetet që të shohim në fushë. Sidibe do të mungojë, pjesa tjetër është stërvitur por ka probleme të vogla. Të presim ditët në vijim.

Kampionati është i egër sepse janë pak ekipe. Skuadra e ka potencialin për të dalë nga ky moment. Në çdo ndeshje do futemi për të marrë maksimumin. Kemi vlerësimin e duhur.

Duhet të reflektojmë për këtë situatë. Kemi arritur në konkluzionin se ku duhet të jenë lojtarët në fushë, ndaj themi se nesër do marrim më të mirën”, ka thënë Xhafa.