Tirana ditën e nesërme ka rastin ideal për të filluar “arratisjen”, pasi do të përballet me Kastriotin në ndeshjen e javës së 21-të të kampionatit, një sfidë që për bardheblutë është kusht fitorja, duke marrë shkas edhe nga përballja mes tyre e rivalëve të Laçi-Kukësi.

Në konferencën për shtyp, trajneri Orges Shehi ka treguar se nuk e ka fare mendjen te përballja e rivalëve, ndërsa ka vlerësimin maksimal për krutanët.

“Jemi të fokusuar në ndeshjen tonë, jo çfarë bëjnë kundërshtarët që kemi pranë në renditje. Nëse do shohim kundërshtarin nga renditja, do bëjmë gabim të madh. Secili ekip ka objektivat e veta. Të përqendrohemi te Kastrioti sikur janë një hap pas nesh. Duhet përqendrim.

“Çdo ndeshje ka strategjinë e vet, manovra jonë sulmuese ndryshon javë pas jave, edhe rreshtimi gjithashtu. Të përqendrohemi te anët e forta dhe të dobëta.

Hoxhallari, Ismajlgeci dhe Limaj janë të rëndësishëm për ne. Hoxhallarin do e kemi në stol, ndërsa dy të tjerët nuk janë. Kemi lojtarë për t’i zëvendësuar, e kemi treguar edhe një ndeshjet e tjera”, shtoi trajneri Shehi.

Më tej trajneri durrsak shtoi: “Përqendrimi është te ndeshja nesër, kundërshtari ka marrë pikë në javët e fundit. Vështirësia sa vjen bëhet më e madhe. Të gjitha skuadrat duan impenjim. Performanca jonë është më e rëndësishme”.