Vllaznia është në kërkim të një trajneri pas shkarkimit të maqedonasit Goce Sedloski. Gjasat janë që deri të hënën klubi të zyrtarizojë kreun e pankinës, i cili do të marrë përsipër drejtimin e skuadrës për sezonin 2023-2024.

Pas emërimit të drejtorit sportiv, Elvis Plori, ky i fundit ka bërë disa takime me kandidatët për trajner, i shoqëruar nga presidenti i klubit, Alban Xhaferi.

Deri më tani kanë dalë në skenë emra si Armando Cungu, Edi Martini, Ardian Nuhiu, Tomas Brdariç dhe Emiliano Çela. Mirëpo, në listën e gjatë të kandidatëve, një prej alternativave serioze është edhe Orges Shehi. Trajneri që mbylli sezonin në krye të Tiranës është aktualisht i lirë, pasi kontrata me klubin bardheblu i ka skaduar.

Burime në klubin shkodran tregojnë për “Panorama Sport”, se pas finales së Kupës së Shqipërisë, Tirana-Egnatia, Shehi është parë në shoqërinë e dyshes Xhaferi-Plori. Mësohet se drejtuesit kuqeblu kanë darkuar me trajnerin durrsak, duke i treguar planin që kanë për sezonin e ri.

Pasi i kanë bërë të ditur projektin, çdo gjë mes palëve është lënë pezull, por Shehi duket se e ka marrë vendimin për të ardhmen. Trajneri 45-vjeçar ka arritur akordin me Shkëndijën e Tetovës dhe mbetet për t’u hedhur vetëm firma nën kontratë për të zyrtarizuar marrëveshjen. Për momentin nuk ka diçka zyrtare, por drejtuesit shkodranë kanë bërë një hap serioz, për të dëgjuar Shehin për kërkesat që mund të ketë nëse pranon ofertën e Vllaznisë. Në klubin kuqeblu lënë të hapur çdo pistë për trajnerin.

RIKTHIMI – Një shkodran është favorit për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Të paktën kështu konfirmojnë burime pranë klubit, teksa bëhet fjalë për trajnerin që mbylli sezonin në krye të Teutës, Edi Martini.