Gazetari, Pano Xhixho, duke folur për situatën në kampionat, tha se nuk ka një skuadër të fortë, pasi sipas tij të gjitha kanë shfaqur oshilacione.

Referuar formës së shkëlqyer që po kalon Teuta, Xhixho në emisionin “Skaner” në MCN TV u shpreh se durrsakët mund të synojnë titullin, ndërsa shtoi se nuk duhet t’i kapë euforia.

“Kam përshtypjen që në këtë pikë të kampionatit, nuk kemi një skuadër që është shumë e fortë. Ka të bëjë qasja që lojtarët kanë në ndeshje. Ka të bëjë shumë edhe trajneri, grinta dhe karikimi që jep ai.

E kemi thënë që nga java e parë, nuk ka një skuadër që e vret kampionatin herët. Në janar u larguan lojtarët më të mirë të kampionatit. Ne e dimë që na humbet cilësia. Nga kjo përfitojnë skuadrat që janë më poshtë në klasifikim.

Edhe Teuta mund ta synojë titullin, 9 pikë larg është. Oshilacionet janë prezente dhe po i shikojmë nga ndeshja në ndeshje te skuadrat.

Sa i përket Teutës, të mos e kapë euforia skuadrën. Skuadrat i kap euforia shumë shpejt. Teuta ka bërë shumë mirë me Martinin, por ka bërë edhe ato ndeshje si me Vllazninë dhe Laçin, ku humbën”.