Ardian Zaganjori është një nga ekspertët me përvojë në fushën e sigurisë, teksa ai tashmë po e ndihmon vullnetarisht klubin shkodran në këtë drejtim, duke qenë në detyrën e oficerit të sigurisë së klubit të futbollit, Vllaznia. I ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, Zaganjori ka paralajmëruar se fusha e stadiumit “Loro Boriçi” mund të rrezikojë prishjen e gjendjes së saj dhe prandaj duhet të investohet urgjenisht në të.
Poashtu, ndër të tjera, për ndeshjet e femrave në Champions League, oficeri i sigurisë, Zaganjori, u shpreh se nuk i frikësohen incidenteve të mundshme, ndërsa i bëri një thirrje edhe Bashkisë Shkodër, me anë të kryetarit Bardh Spahia, për të ndërhyrë me disa investime në rregullimin e pjesës përpara hyrjes kryesore të stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku janë disa pllaka të thyera, për t’i ndërruar ato.
“Nuk frikësohemi nga asnjë incident. Do i marrim të gjitha masat policore, por edhe me FSHF. Megjithatë, kemi një problem tjetër. E vetmja gjë që mua më frikëson që ndoshta duhet të investohet urgjentisht në gjendjen e fushës së stadiumit “Loro Boriçi”.
Fusha mund të rrezikojë, pasi Çelsi, PSG dhe Real Madrid, janë ekipe të niveleve të larta dhe kërkojnë një cilësi të jashtëzakonshme fushe. Megjithatë, jam i sigurtë që z. Lazër Matija, siç ka zgjidhur shumë probleme, së bashku me FSHF, që tashmë duhet të ketë një fokus të veçantë te stadiumi “Loro Boriçi”, duhet ta përmirësojnë urgjentisht nivelin e fushës.
Edhe Bashkisë Shkodër i bëj një thirrje që të paktën të bëjë disa investime, disa rregullime përpara hyrjes së tribunës kryesore të stadiumit “Loro Boriçi”, ku janë disa pllaka të thyera dhe kërkesa e grupeve është shumë e lartë, pasi tashmë është një nivel më i lartë”,-tha gjatë prononcimit të tij, oficeri i sigurisë pranë klubit të futbollit Vllaznia, Ardian Zaganjori.
Maringlen ZHIVANI