Spartak Moska e ka seriozisht për Elseid Hysajn. Klubi i njohur rus, me pretendime për të luftuar për titull këtë vit në kampionat, ka bërë kerkesë zyrtare për transferimin e kapitenit të përfaqësueses shqiptare .

Hysaj ka edhe një vit kontratë të mbetur me Napolin, por klubi rus është gati të paguajë 7 milionë euro në arkat e napolitanëve për të transferuar menjëherë futbollistin dhe për ta hedhur në fushën e lojës që në javët në vijim.

Sipas Xhanluka Di Marzio, klubi po e mendon seriozisht këtë hipotezë, ndërsa po diskutohet edhe mundësia e afrimit të një mbrojtësi tjetër për ta zëvendësuar në këto ditë të fundit të merkatos.

Tashmë gjithçka është në dorë të Hysajt, i cili mund të pranojë këtë ofertë e të largohet menjëherë, apo të presë deri në fund të edicionit e t’i japë lamtumirën Napolit si futbollist i lirë. Oferta ruse për të është me të vërtetë tunduese, pasi raportohet se atje do të përfitojë dyfishin e rrogës që ka aktualisht të Napoli.

Klubi rus i ka propozuar lojtarit një kontratë pesëvjeçare me një rrogë prej 3 milionë eurosh në vit. Një shifër shumë tunduese për këdo dhe që ka vënë në mendime kapitenin e Shqipërisë, i cili do i jepte kështu lamtumirën një kampionati shumë prestigjioz si ai italian. /vipsport/