Alarm te Vllaznia! Tre futbollistë kuqeblu dyshohet se janë infektuar me “COVID-19” dhe menjëherë janë izoluar në banesat e tyre. Edhe pse klubi shkodran është munduar të mbajë gjithçka të fshehtë, mungesat në stërvitje të disa lojtarëve kanë krijuar habi.

Nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga klubi se kush ka pasur probleme shëndetësore, por është fakt se të hënën dhe të martën kanë munguar në stërvitje kapiteni Erdenis Gurishta, qendërmbrojtësi Dajan Shehi dhe mesfushori Herald Marku.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se lojtarët që dyshohet se mund të jenë prekur nga Koronavirusi, kanë pasur temperaturë duke u gdhirë e diel. Në këto kushte, ata kanë njoftuar menjëherë klubin dhe nuk janë paraqitur në stërvitje.

Ndërkohë, duke parë që situata e lojtarëve të cilët dyshohet se janë infektuar ka vazhduar të jetë me simptoma të ngjashme me “COVID-19”, klubi ka sinjalizuar autoritetet shëndetësore.

Menjëherë i është bërë tamponi njërit prej tre lojtarëve të Vllaznisë dhe vetëm sot pritet të ketë një përgjigje nëse testi ka rezultuar pozitiv apo negativ. Nga ana tjetër, i çuditshëm mbetet fakti se pse nuk u është bërë tampon dy futbollistëve të tjerë.

Mësohet se ata që dyshohet se janë prekur dhe kanë pasur probleme shëndetësore së fundmi, qëndrojnë në të njëjtën banesë në Shkodër. Gjithsesi, aktualisht nga burime në klub bëhet e ditur se nga tre lojtarët me probleme, vetëm dy prej tyre janë në qytetin verior, ndërsa njëri në banesën e tij në Tiranë.

Ankthi tashmë është i madh te shkodranët, por sot do të konfirmohet gjithçka pas përgjigjes së testit të parë që është bërë për një prej lojtarëve shkodranë. Në klub luten që përgjigjja e tamponit të jetë negative.