Nuk ka të ndalur Sindrit Guri me golat e tij, duke qenë në krye të listës së shënuesve më të mirë të kampionatit së bashku me Souenë, me nga 19 gola.

Shkodrani do të luaj dhe 3 ndeshje me Kukësin dhe më pas do të nisë një tjetër aventurë jashtë vendit, diçka që tashmë është e ditur dhe pritet vetëm dita që të bëhet zyrtarizimi.

Natyrshëm mund të konsiderohet sezoni më i suksesshëm i 24-vjeçarit që po shkëlqen në Superiore, është shumë pranë kalimit te një skuadër europiane si dhe Panuçi duket se e ka shtuar në listën e lojtarëve të tij.

OSTENDE
Vetë sulmuesi në një prononcim për “Sport Ekspres” pati deklaruar se e ka bërë zgjedhjen e tij sa i përket kampionatit.

Elita e futbollit belg do të jetë destinacioni i ardhshëm i Gurit, ku do të takohet së bashku me Abazajn dhe Olainkën, produkte të Superiores.

Gjithsesi, emri nuk u bë i ditur atëherë, edhe pse kishte qarkulluar si alternativë.

Gazeta mëson se është skuadra e Ostendës ajo që kërkon me ngulm shërbimet e Gurit dhe tashmë është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me lojtarin, por dhe klubin e Kukësit,

Ostende është një skuadër që punon shumë me lojtarët e rinj dhe i ka premtuar autorit të 19 golave një vend titullari për sezonin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë edhe një kontratë të kënaqshme, ku për 3 vite me shumë gjasa do të përfitojë shifrën e 1 milion eurove pa bonuse.

Një mundësi e mirë për Gurin që të bëjë hapin e madh në karrierë dhe të tregojë edhe në Belgjikë se sa vlen, por dhe për Kukësin që të arkëtojë një shifër shumë të mirë, që do mbushte arkat e klubit.

KËRKESA E KUKËSIT
Po të njëjtat burime bëjnë me dije se verilindorët e kanë pranuar ofertën financiare të bërë nga klubi belg.

Mësohet se Kukësi do të përfitojë një shifër prej afro 700 mijë eurosh, çka do të ishte rekord për ta, pasi më parë asnjë herë nuk kanë kryer transferime të tilla. Nëse për shifrën e transferimit është rënë dakord,

Kukësi ka një kërkesë tjetër dhe duket se nuk heq dorë kollaj. Ata kërkojnë që të mos e shesin të gjithë kartonin e lojtarit, pasi kërkon që të mbajë një përqindje caktuar.

Kjo me synimin që nëse Ostende e shet në të ardhmen Gurin, Kukësi të marrë një tjetër shumë parash.

Verilindorët synojnë që të mbajnë 20% të kartonit të shkodranit, gjë që nuk është pranuar nga ana e drejtuesve të Ostendes, që e konsiderojnë një investim shumë të madh afrimin e Gurit dhe normalisht nuk e mendojnë që të në ardhmen të depozitojnë sërish për Gurin të ardhura, gjithnjë nëse arrijnë që ta shesin.

Synimi i lojtarit i tillë është që ta përdorë Belgjikën si trampolinë për të shkuar në një tjetër kampionat, dhe Kukësi në këtë mes do të mos dalë duarbosh.

I vetmi problem për transferimin është ky. Mbetet për t’u parë nëse belgët do pranojnë kërkesën e presidentit Gjici, apo negociatat do të vazhdojnë.

Gurin e kanë kërkuar shumë skuadra, por nuk duhet harruar se dëshira e lojtarit është parësore dhe ai ka në dorë shumë./sport-ekspres/