Në Shkodër pritej një situatë e tillë. Kjo konfirmohet edhe nga dy figura të shquara të Vllaznisë ndër vite. Edi Martini, ish-lojtar dhe ish-trajner i kuqebluve, si dhe i famshmi Hysen Zmijani, kanë komentuar për “Panorama Sport” zhvillimet më të fundit në klubin kuqeblu. Për dy ish-futbollistët e mirënjohur, bashkia ka gabuar me shkarkimin e trajnerit Rudi Vata. I pari flet Martini, i cili përpara dy sezonesh ka drejtuar Vllazninë.

“Me lëvizjet që janë bërë bashkia ka dashur të gjejë fajtorin, por kjo situatë i ka ardhur ndër mend shumë më përpara, madje pa u emëruar ende Rudi Vata. Opinioni sportiv në Shkodër ka kohë që diskuton për largimin e Vatës. Gjatë kësaj periudhe kanë lënë jo pak hije dyshimi bisedimet me trajnerët e tjerë, si dhe rinovimi i disa kontratave pa dijeninë e Vatës. Kjo tregon se klubi ka qenë i qartë në atë se çfarë do të bënte. Mendoj se që në nisje drejtuesit kanë qenë në një adresë të gabuar. Në momentin që Rudi ka marrë ekipin, ka qenë e pamundur që Vllaznia ta kapte Evropën. Nuk jam i sigurt, nëse për këtë objektiv të vënë nga klubi trajneri Vata e ka pranuar”, – deklaroi Martini.Ky i fundit, pak kohë më parë, ka akuzuar për situatën te Vllaznia administratorin Kujtim Shaba. Këtë ka bërë edhe Vata. “Nuk kam dëshirë të komentoj për një njeri që nuk ka lidhje me atë që po bën. Këto janë punët e bashkisë dhe ky institucion duhet ta dijë më mirë se cilët persona vendos në role të tilla. Të drejtosh Vllazninë, tani është shumë e vështirë. Puna bëhet edhe më e vështirë, sidomos kur ke njerëz të paaftë në klub. Ky mendoj se është një problem i madh”, – u shpreh Martini, i pyetur në lidhje me rolin e Shabës.

Zmijani – “Sigurisht që bashkia ka gabuar në këtë rast, por jo pa faj është edhe vetë Vata. Mendoj se nuk ishte momenti për të shkarkuar trajnerin, sepse nuk besoj se kanë për të rregulluar ndonjë gjë. E shikoj si një vendim të nxituar të klubit, pasi përpara është një lëmsh, i cili duket i vështirë për t’u rregulluar. Bashkia duhet të ishte e ndërgjegjshme se nuk është ky momenti për të bërë eksperimente. Jam i bindur se edhe trajneri tjetër që do të vijë, do të ketë probleme të mëdha. Vllaznia tashmë po më duket si pa Zot. Kushdo trajner që do të emërohet, do të jetë thjesht viktima e radhës. Vllaznia është një klub që edhe kur ka kontingjent minimal, kërkesat i ka maksimale. Mendoj se një nga gabimet e para të klubit ishte edhe fakti që la të lirë Sukajn dhe Vajushin. Klubi mund t’i mbante, pasi shpenzoi thuajse shifra të njëjta me ata që bleu. Dhe, kur nuk ka rezultate, atëherë dalin edhe divergjencat mes palëve”.