Gardiani i portës shkodrane, Bojan Zogoviç, është optimist se Vllaznia do të dijë t’ia dalë ndaj Laçit. Një nga më të mirët në përballjen me Partizanin, ka mendimin se Vllaznia do të jetë deri në fund pretendente për titull. Për “Panorama Sport” Zogoviç tha se përveç titullit kampion, kuqeblutë do të tentojnë edhe Kupën e Shqipërisë.


Me barazim ndaj Partizanit lëshuat vendin e parë me një gol më pak, besoni se shumë shpejt do të ngjiteni sërish aty?

Mendoj se barazimi ishte realiteti i asaj ndeshjeje. Si ne ashtu edhe Partizani patëm shanset tona, kështu që një pikë ishte më e drejta. Ne dhe Teuta kemi të njëjtin numër pikësh, por ka edhe 3 ekipe që po luftojnë për Europën dhe vendin e parë. Çdo pikë do të jetë shumë e rëndësishme në këto momente. Mendoj se deri në fund të kampionatit do të ketë një luftë për Europën dhe vendin e parë.


Tani në lojë për titull edhe për Kupat e Europës është futur edhe Tirana, ju shqetëson ky fakt?

Tani fillon pjesa më e rëndësishme e sezonit. Tirana i është bashkuar garës për në Europë dhe vendin e parë dhe mendoj se tani do të jetë një kampionat edhe më interesant.


Rrezikon Vllaznia përmes kampionatit daljen në Kupat e Europës?

Mendoj se këtë sezon po bëjmë rezultate mbi pritshmëritë. Askush nuk e priste këtë, por ne treguam cilësi. Ne duhet të jemi të qetë dhe të vazhdojmë. Mendoj se kemi forcën fizike dhe mendore për ta përfunduar këtë sezon fitimtar.


Të shtunën do të jeni në Laç me të vetmin ekipi që s’keni marrë asnjë pikë, keni besim se kësaj here mund të jetë ndryshe?

Deri më tani ka qenë më e vështira për ne kundër Laçi. Ata janë një ekip solid dhe me përvojë. Por, jam i sigurt që jemi gati. Kemi dy ndeshje me ta dhe mendoj se nuk do të jetë e lehtë as për ta. Ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën.

Do ju kënaqte edhe një pikë në këtë përballje?

Edhe kjo lojë edhe ajo tjetër për kupë të mërkurën janë të rëndësishme për ne. Sigurisht, ne hyjmë në çdo ndeshje me synimin për të fituar dhe që do të përpiqemi ta mposhtim Laçi për herë të parë në këtë sezon.


Kupa a do të jetë objektivi i Vllaznisë, për më tepër për të thënë se ky ishte sezoni juaj?

Vllaznia e bëri këtë ligë interesante këtë vit. Në 26-të javë ne jemi të parët ose të dytët dhe kjo është e shkëlqyeshme për ne dhe klubin. Dhe sigurisht në fund të fundit më duhet të them se ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar në Europë, sepse sigurisht që e meritojmë atë.