Kukësi ka njoftuar se lajmet për dorëheqjen e trajnerit Diego Longo janë të pavërteta. Klubi verilindor ka reaguar në kanalet e komunikimit, duke treguar se pas barazimit 1-1 me Teutën nuk ka pasur dorëheqje, siç ka njoftuar Panorama Sport.

Klubi verilindor ka kërkuar profesionalizëm, duke rikonfirmuar në krye të skuadrës Longon. Java që vjen e gjen Kukësin në transfertë, në përballje me Partizanin.

Komunikatë e klubit:

Menjëherë pas ndeshjes ndaj Teutës, kundrejt klubit tonë kanë nisur publikimet e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe nga “Panorama Sport” dhe aludime se trajneri Diego Longo ka dhënë dorëheqjen. Futboll Klub Kukësi hedh poshtë këto lajme të pavërteta dhe kërkon që kjo media të tregohet profesionale karshi Kukësit ashtu si klubi ka treguar profesionalitet dhe ka qenë gjithmonë i hapur për të gjitha mediat.

Futboll Klub Kukësi konfirmon pozicionin e trajnerit Diego Longo dhe siguron të gjithë se trajneri do të vazhdojë të jetë në drejtimin e Kukësit. Barazimi ndaj Teutës, normalisht nuk ishte një rezultat pozitiv por stafi teknik do të analizojë ndeshjen dhe do të nisin përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit.

Stafi drejtues ka besim të plotë te trajneri Longo dhe te futbollistët e skuadrës dhe nuk ka asnjë lloj presioni karshi tyre nga ana e klubit, duke qenë se po bëhet një punë shumë e mirë dhe jemi në garë për objektivat sezonalë që kemi.

Edhe një herë tjetër, kërkojme nga mediat që të tregohen profesionale karshi klubit dhe për çdo informacion që kërkojnë, mund të kontaktojnë zyrën e shtypit, e jo të informohen nga njerëz keqdashës të jashtëm që kërkojnë me çdo kusht të dëmtojnë klubin tonë. Zyra për shtyp FK Kukësi