Sinan Bardhi, zyrtarisht është trajner i Besëlidhjes. Bardhi rikthehet në Lezhë pas afro një dekade, ndërsa tashmë synimi është i njëjtë, me synimin e vetëm për të ngjitur ekipin në elitë. Në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport”, ka pohuar: “Pata një takim me presidentin Gjok Noka dhe më afroi një kontratë për një sezon me një sezon tjetër shtyrje. Objektivi është që ne të ngjitemi në elite”.

Rivaliteti

Bardhi flet edhe për garën e fortë dhe rivalët: “Ky kampionat do të jetë shumë cilësor dhe shumë i fortë. Por, ne do të punojmë shumë që të jemi në elitë në fund të garës”.

Grupi

“Skuadra është mjaft solide, kemi cilësi dhe lojtarë me eksperiencë. Do afrojmë lojtarë me kualitete dhe nuk jap aktualisht emra, sepse janë lojtarë që i duan edhe ekipet e tjera. Ne kemi një miqësore me Laçin që është ekipi më ne formë.

Ky do të jetë viti i suksesit dhe unë kam besim se ne do të ngjitemi. I jemi afruar dy herë “Play-Off” dhe unë kam besim se ne do të realizojmë këtë objektiv prej më shumë se një dekade që Besëlidhja të shkojë aty ku i takon, e përpos kësaj edhe për mua si trajner, mendoj se është moment që të ngjitem në elitë me Besëlidhjen e të nis një “kapitull” të ri”, – tha Sinan Bardhi, trajneri i ri i skuadrës së Besëlidhjes./vipsport/