Në fitoren e djeshme shënoi plot 3 gola duke kompletuar fitoren e thellë 8-0 të Vllaznia U19 ndaj Shënkollit në ndeshjen e rradhës për kampionat. E kemi fjalën për Eridon Qardakun, mesfushorin 18 vjeçar që vazhdon të spikasë tek ekipi shkodran.

Luan në krah por dëshira e tij është të jetë gjithmonë para portës kundërshtare. Prandaj dhe ka shënuar 10 gola në këtë kampionat, një më pak se golashënuesi më i mirë i ekipit Akileu Ndreca.

Një dyshe e cila ka treguar vlera në ndeshjet e zhvilluara, pa lënë mënjanë edhe futbollistë të tjerë si Lisaj e Hoxha, të cilët kanë shënuar njëri 6 dhe tjetri 5 gola.

Në manovrën sulmuese kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kanë bërë mirë duke shënuar 42 gola dhe duke qenë ekipi me më shumë gola të shënuar por jo keq edhe në manovrën difensive teksa Vllaznia U19 ka pësuar vetëm 7 gola, më pak se të gjithë të tjerët.
© shkodrasport.com