Egnatia – Skënderbeu do të jetë “finalja” e parë në zonën e mbijetesës, në javën e 21-të të Abissnet Superiore. Dy skuadra që prej javësh kanë humbur “busullën” dhe enden mes humbjeve dhe barazimeve me pikatore, do të kërkojnë maksimumin të shtunën, në një sfidë që premton shumë, pasi koha dhe kalendari nuk premton shumë.

Me pikë të barabarta dhe me të njëjtin mision në pjesën e mbetur të sezonit, Egnatia pozicionohet në vendin e nëntë ndërsa Skënderbeu në vendin e tetë dhe momentalisht janë dy ekipet me rendimentin më të dobët. Rrogozhinasit kanë koleksionuar vetëm 2 pikë në pesë javë, ndërsa në një hark kohor të njëjtë, korçarët krenohen me vetëm me 1 pikë.

Viti 2022 është i errët për të dyja skuadrat që ende nuk kanë shijuar suksesin e pare, me Egnatian që mes kampionatit dhe kupës ka shijuar vetëm 3 barazime, ndërsa në 4 takime është mundur. Akoma dhe më keq ka bërë Skënderbeu, që në këtë vit krenohet vetëm me barazimin në shtëpi përballë Laçit dhe më pas 6 humbje radhazi, midis kampionatit dhe kupës. Me një profil të njëjtë dhe me pak diferenca, në këtë përballje është e vështirë të flitet për një skuadër favorite dhe kjo përforcohet akoma dhe më shumë kur sheh statistikat.

Nëse Egnatia luan në shtëpi këtë përballje, kjo nuk do të thotë se niset si favorite, pasi është skuadra me formën më të dobët në shtëpi, me vetëm një fitore dhe tre barazime, në total gjashtë pikë, asgjë më shumë. Në krahun tjetër, Skënderbeu ka një tabu në këtë sezon dhe ato janë transfertat. Asnjë fitore, vetëm tre barazime, duke e kthyer në një nga ekipet më të dobta larg shtëpisë, ndërsa më keq se korçarët ka bërë vetëm Kastrioti, me dy pikë.

Ndryshimet e shumta gjatë sezonit nuk e kanë lejuar Egnatian të gjejë stabilitetin e munguar dhe pavarsisht ndryshimeve të shumta në merkaton e janarit, skuadra përsëri nuk ka arritur të gjejë formën.

Skënderbeu, në merkaton e dimrit solli risi vetëm në mbrojtje, por përsëri mbetet reparti me më shumë probleme dhe luhatje. Përballë, Ramadani dhe Memelli, dy trajnerë që jo vetëm po vuajnë formën e dobët të skuadrave të tyre, por edhe mungesën e golit. Egnatia dhe Skënderbeu janë fotokopje të njera-tjetrës, pasi në shtatë ndeshjet e fundit, skudrat kanë shënuar nga 3 gola.

Mungesë e sigurt për vendasit është ajo e mesfushorit Demir Imeri, i cili u ndëshkua me kartonin e kuq në takimin e fundit ndaj Tiranës, ndërsa Skënderbeu duhet të bëjë përsëri pa Vitijën dhe me shpresën që Jorgo Meksi të rekuperohet për të qenë prezent në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Në dy ndeshjet e para sezonale, në Rrogozhinë, Egnatia nuk shkoi cmë shumë se barazimi 1-1, ndërsa në Korcë, Skënderbeu mori maksimumin falë triumfit 2-0, duke krijuar një avantazh të lehtë ndaj rrogozhinasve në ndeshjet direkte të këtij edicioni, por të shtunën duke nisur nga ora 13:45, gjithçka do të zerohet dhe 90 minutat në “Arena Egnatia” do të jenë përcaktuese për fatet e të dyja skuadrave.