Kampionati i futbollit të femrave i këtij edicioni është pa dyshim më shumë emocionues, me skuadrat që po prodhojnë lojë më të bukur në fushë dhe garë më të fortë.

10 javë të luajtura që prej 2 tetorit të këtij viti kanë qenë tepër të luftuara, me Vllazninë e Apoloninë që vijojnë të sjellin një futboll të bukur në fushë, ashtu sikurse edhe Tirana, skuadra që merr pjesë për herë të dytë në kampionat që prej krijimit të saj vitin e kaluar.

Në 10 javë, asnjë humbje për kampionet në fuqi të vendit dhe Apoloninë, që kryesojnë renditjen me nga 25 pikë secila, teksa në përballjen direkte mes tyre janë ndarë miqësisht me nga një pikë.

Nga ana tjetër, ndjek Tirana, me 24 pikë, me një pikë më pak në klasifikim, teksa numëron 8 fitore dhe një humbje ndaj rivales direkte, që është Vllaznia.

Dukshëm, kampionati ka më shumë rivalitet, me skuadrat e “TOP 3” që kanë treguar se futbolli i femrave ka pasur sigurisht rritje. Dhe kjo jo vetëm në konkurrencë, por edhe në cilësi, që pa dyshim ndikon edhe tek ekipet kombëtare të Shqipërisë.

E megjithatë, pavarësisht lojës së bukur që skuadrat mund të dhurojnë në fushë, në fund, rëndësi ka trepikëshi dhe goli, prej këmbëve të cilës futbolliste, topi shkon në rrjetë.

Edhe për një tjetër sezon, lista kryesohet sërish nga Megi Doçi, sulmuesja e Vllaznisë, e cila në 10 javë ka shënuar 33 gola, duke ndihmuar ekipin e saj të fitojë ndeshjet e kampionatit.

Në vendin e dytë renditet Egzona Gashi, futbollistja e Apolonisë, e cila ka gjetur rrugën e rrjetës plot 18 herë gjatë këtyre 10 javëve kampionat.

Më tej, në vendin e tretë renditen Lucije Gjini, lojtare e Vllaznisë dhe Valentina Troka, futbolliste e Apolonisë me nga 14 gola secila.

Vendi i katërt mbahet sërish nga futbollistet e Vllaznisë dhe Apolonisë, Esi Lufo dhe Liridona Gashi, me nga 13 realizime në këtë kampionat, ndërsa Iris Armoku, futbollistja e Atletik Club ka arritur të shënojë 12 gola.

Këto futbolliste janë në “Top 5” sa i përket golashënueseve për këto 10 javë, teksa lista vijon të jetë e gjatë me të gjithë emrat që kanë lënë gjurmë në ndeshjet e tyre.

1. Megi Doçi – 33 gola (Vllaznia)

2. Egzona Gashi – 18 gola (Apolonia)

3. Luçije Gjini – 14 gola (Vllaznia)

Valentina Troka – 14 gola (Apolonia)

4. Esi Lufo – 13 gola (Vllaznia)

Liridona Gashi – 13 gola (Apolonia)

5. Iris Armoku – 12 gola (Atletik Club)