Prej më shumë se një muaj, çdo aktivitet sportiv në vendin tonë është ndalur, veçanërisht edhe futbolli. Tashmë me interes po shihet se si do të veprojnë klubet e futbollit sa i përket rrogave të lojtarëve që në këtë periudhë të vështirë prej Coronavirusit, do ta kenë objektivisht të pamundur t’i përmbahen kushteve të kontratave të lidhura në fillim të sezonit. Federata Shqiptare e Futbollit akordoi ditën e djeshme një ndihmë financiare për çdo ekip të Superiores duke paguar çdo futbollist me 300 mijë lekë (të vjetra), pagë kjo që do të vazhdojë për sa kohë nuk do të rinisë aktiviteti.

Një ndihmë modeste, po mjaft e rëndësishme për futbollistët. Megjithatë krahasuar me pagat që përfitojnë nga klubet është e vogël. Natyrshëm, për këtë rast lind pyetja: A do të konsiderohen të likuiduar këto muaj apo lojtarët kanë të drejtë të kërkojnë rrogat e tyre ashtu siç kanë arritur marrëveshjen sipas kontratës?

Logjikisht, ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë rrogën e klubit sepse kampionati do të vijojë të luhet, siç është parashikuar edhe në muajt e verës. Pra, sapo të nisë aktiviteti ata do të vazhdojnë të paguhen sipas kushteve të kontratës.

Megjithatë për këtë FIFA ka krijuar disa rregulla të posaçme për COVID 19 që janë miratuar me 18 mars të këtij viti nga Byroja e Këshillit. Në të, ndër të tjera parashikohet rasti për marrëveshjet kontraktuale të lidhura mes futbollistëve dhe klubeve apo trajnerëve me klubet. Me rëndësi mbetet fakti që është theksuar edhe nga FIFA që palët duhet të gjejnë një marrëveshje të përbashkët në këtë situatë të paprecedentë që ka mbërthyer futbollin.

Newsport.al ka siguruar pikërisht rregullat e miratuara në kushte të jashtëzakonshme, teksa thuhet qartë që: “Federatat e Futbollit duhet të punojnë për të bindur lojtarët dhe klubet që të arrijnë marrëveshjen e përbashkët. Nëse nga ana e klubeve do të ketë marrëveshje të njëanshme që nuk parashikohet nga legjislacioni i vendit përkatës, atëherë çdo subjekt kontraktual mund të kërkojë të drejtën e tij në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve”. Edhe kjo e fundit në bazë të disa rregullave të vendosura nga FIFA do të vendosë duke vlerësuar rast pas rasti çështjet e ndryshme që mund të arkivohen.

E thënë më “shkoqur”, lojtarët apo trajnerët kanë të drejtë të kërkojnë pagat e tyre në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve nëse nuk do të ketë një marrëveshje mes tyre për të mos iu përmbajtur kontratave të fillimit. Por, DZK duhet të marrë parasysh katër kushte: Nëse klubi ka tentuar për të arritur një marrëveshje, gjendjen ekonomike të klubit, nëse vendimi është zbatuar për gjithë kontratën, raporton newsport.al.

Një pikë tjetër e rëndësishme që parashikon, ku duket se bën pjesë edhe kampionati ynë ka të bëjë me vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për të pezulluar përkohësisht marrëveshjet e lidhura mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, pra lojtarëve dhe klubeve.

“Në të kundërt, të gjitha marrëveshjet midis klubeve dhe punonjësve duhet të “pezullohen” gjatë çdo pezullimi të ndeshjeve (d.m.th. pezullimi i aktiviteteve të futbollit), me kusht që të ruhet mbulimi i duhur i sigurimit, dhe që të mund të gjenden masa të përshtatshme alternative ndihme për të ardhurat për punonjësit gjatë periudhës në fjalë”, thuhet në pikën e katërt të kësaj rregullorje.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur një ndihmë prej 300 mijë lekësh për çdo lojtar apo punëtor klubi. Rrjedhimisht kampionati ynë është bazuar në pikën e katër të rregullores së FIFA-s. Në këtë rast 300 mijë lekëshi i akorduar/ person është masë e përshtatshme alternative si ndihmë për punonjësit. Pra, në Shqipëri drejtuesit e klubeve nuk kanë asnjë detyrim ndaj punëmarrësve të tyre, veçse të mbulojnë sigurimet shoqërore për gjithë periudhën që futbolli do të jetë i pezulluar./newsport/