Vllaznia në basketboll për femra është kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Vajzat kuqeblu e kanë fituar në tavolinë me rezultatin 20-0 ndeshjen çerekfinale që kishin me Studentin. Skuadra kryeqytetase nuk është paraqitur në palltin e sportit “Qazim Dervishi” për të zhvilluar ndeshjen që kishte me ekipin kuqeblu.

Në këtë mënyrë kjo mosparaqitje i ka kushtuar humbjen në tavolinë skuadrës kryeqytetase duke bërë që vajzat shkodrane tëp resin tashmë biletën në gjysmëfinale pa u lodhur shumë.Pavarësisht se Studenti nuk u paraqit në ndeshjen e parashikuar për t’u luajtur në palltin e sportit “Qazim Dervishi”,

Vllaznia nga ana e saj ishte përgatitur për këtë përballje për të gjetur fitoren dhe për të siguruar kualifikimin por mosardhja e ekipit mik e bëri më të lehtë situatën për Vllazninë duke i dhënë fitoren në tavolinë.

Tashmë vajzat shkodrane do të pretendojnë që pas çerekfinales ky rrugëtim i tyre në Kupën e Shqipërisë të vijojë edhe më tutje.Objektiv është fitorja edhe në përballjen gjysmëfinale për të arritur kështu deri në takimin final dhe pse jo për të pretenduar edhe fitimin e Kupës edhe pse është tejet e vështirë duke parë skuadrat e tjera rivale.

Në ndeshjet e tjera të luajtura në Kupën e Shqipërisë për femra në basketboll SHKB Tirana fitoi 74-54 ndaj Skenderbeut, SHB Tirana fitoi pastër 110-63 me Apoloninë ndërsa kualifikim në gjysmëfinale mori edhe Flamurtari pasi vlonjatet fituan 92-80 ndaj Elbasanit.

Ekipi që pretendon fitimin e Kupës por edhe të gjitha trofetë e tjera është Flamurtari. Pas ndeshjes së Kupës Vllaznia do të vijojë të pretendojë paraqitje pozitive edhe në kampionat edhe pse pothuajse është siguruar pozicionimi mes 4 ekipeve më të mira për të marrë pjesë në fund të sezonit në fazën Play Off ku edhe vendoset titulli kampion.