HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERrëfehet Haxhiosmanoviç: Vllaznia ia del me ushtarë, në janar duhet një lojtar...

Rrëfehet Haxhiosmanoviç: Vllaznia ia del me ushtarë, në janar duhet një lojtar tipik si Cungu

E mbani mend Dervish Haxhiosmanoviçin? Në Shkodër u bë trajneri më i dashur për tifozët, sepse mbi të gjitha solli trofe. Për herë të fundit Vllaznia ka fituar titullin kampion në sezonin 2000- 2001, pikërisht nën drejtimin e malazezit që në qytetin verior njihet nga të gjithë me nofkën “Deda”.

Jo vetëm kaq, por 61-vjeçari arriti të fitonte si trajner i Vllaznisë edhe Superkupën në vitin 2001, si dhe Kupën e Shqipërisë në 2008- ën. Ka qenë i përzgjedhuri i të ndjerit Myftar Çela e më pas ish-presidentit tjetër, Valter Fushaj. Edhe sot e kësaj dite, Haxhiosmanoviç nuk e harron dot Shkodrën.

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, malazezi pranoi me kënaqësi të fliste për Vllazninë. Në një rrëfim ekskluziv, “Deda” prek gjithçka që lidhet me skuadrën aktuale, por gjithashtu bën edhe krahasimin me ekipin kampion. Ai beson se ka ardhur koha për titullin e 10- të të Vllaznisë.

Përshëndetje “Deda”! Së pari uroj të jeni mirë. Besoj i ndiqni zhvillimet në futbollin shqiptar…?

Ju falënderoj për interesimin. Brenda mundësive që kam, ndjek gjithçka ka të bëjë me futbollin shqipar dhe natyrisht Vllazninë.

Çfarë ju bën përshtypje në këtë ecuri të skuadrës shkodrane?

Mendoj se është një ecuri shumë e mirë për 8 javë që janë luajtur. Më duket një ekip solid dhe harmonik. Një skuadër që ka ushtarë dhe jo gjeneralë. Pra, funksionojnë shumë mirë të gjithë së bashku.

Kanë kaluar tetë javë dhe tifozët ëndërrojnë titullin e 10-të…

Rruga është e gjatë dhe nuk është e rëndësishme vetëm paraqitja që do të bëjë ekipi, por edhe sa do të ndikojnë elementet e tjera që bëjnë pjesë në kampionatin shqiptar.


Çfarë doni të thoni me këtë?

Lojërat jashtë fushe, gjykimet dhe disa gjëra të tjeraqë do të kenë ndikimin e vet. Unë shpresoj që këto të mos ndikojnë te Vllaznia.


Ju jeni trajneri i fundit që keni shpallur kampione Vllazninë dhe gjithashtu keni fituar Kupën. E kujtoni shpesh suksesin e vitit 2001?

Natyrisht, sepse ai titull është një nga gjërat më të bukura, por më jep edhe emocione të shumta. Kishim një president të madh si i ndjeri Myftar Çela, por edhe një skuadër me emra të mëdhenj dhe tepër cilësorë. Kisha mbështetje nga të gjithë dhe patëm shumë ankth deri në ndeshjen e fundit të kampionatit.

Kujtoj që kemi pritur me shumë emocione ndeshjen e shtyrë mes Shkumbinit e Tiranës. Sigurisht më kujtohet ai festim madhështor që nisi në Shkodër pas atij barazimi mes Shkumbinit dhe Tiranës që na shpalli ne kampion automatikisht. Kënga që na kushtoi mjeshtri i madh, Bujar Qamili, e deri te festa në stadium dhe rrugët e Shkodrës do t’i mbaj mend gjithë jetën.


Gjeni ndonjë gjë të përbashkët mes Vllaznisë së atij viti dhe kësaj aktuale?

Ka një ngjashmëri në lojën që po zhvillon, sepse kërkon të fitojë në çdo ndeshje. Në cilësi, ai ekip që unë kam drejtuar, ka pasur lojtarë më kualitativë, ndërsa ky i sotmi luan më mirë në grup. Ne kishim vërtet ekip mjaft solid dhe të motivuar nga fillimi deri në fund të sezonit. Edhe stafi teknik ishte profesionist dhe shumë i përkushtuar. E thashë, Vllaznia aktuale funksionon sepse nuk ka “gjeneralë”.

Tashmë hapet edhe merkatoja. Ku mendoni se duhet të forcohet Vllaznia?

Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje vetëm në mesin e fushës. Kërkohet edhe një tip lojtari me tiparet që ka pasur Cungu, një ndërlidhës i lojës. Pavarësisht se në këtë pozicion nuk po çalon, unë gjykoj se i duhet të marrë një futbollist cilësor për këtë pozicion. Por, nëse Dunga nuk kthehet, atëherë bëhet e domosdoshme edhe ndërhyrja në sulm

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments