Vllaznia pritet të ketë lëvizje në formacion për ndeshjen e kthimit ndaj AEL Limasolit. Trajneri Tomas Brdariç është i kushtëzuar edhe për faktin se mungojnë mesfushori Viktor da Silva dhe sulmuesi Fahrudin Gjurgjeviç.
I pari vuan ende dëmtimin e pësuar në ndeshjen ndaj Shirokit, ndërsa i dyti është i pezulluar për shkak kartonësh. Reparti i sulmit është ai që shqetëson Brdariçin, edhe pse gjasat më të mëdha janë që në vend të Gjurgjeviçit, të luajë nga minuta e parë Ardit Hoxhaj i cili mungoi në Qipro për shkak të problemeve shëndetësore.
Një dilemë e madhe për trajnerin është Dilaver apo Çoba nga minuta e parë. Eksperienca e boshnjakut mund të kërkohet që të shfrytëzohen në këtë takim.
Ndërkohë, edhe fakti që Liridon Latifi nuk është ende 100 % nga ana fizike, ka bërë që Brdariç të jetë i dyzuar për aktivizimin e tij nga minuta e parë.
Një ide është me kosovarin nga krahu i majtë dhe Hoxhajn në qendër të sulmit, por duke parë shtatlartësinë e mbrojtësve të AEL-it, Brdariç po mendon më tepër për Dilaverin në majë.
Gjithsesi, sot trajneri do të fiksojë gjithçka në seancën e fundit. Strategjia e gjermanit është e qartë: skuadra nuk duhet të kalojë në aventurë përballë një kundërshtari si AEL-i.