Përplasje të forta, por me një epiqendër, në “Loro Boriçi”, aty ku të gjithë mbajnë sytë, për të përfituar nga sfida mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kështu, kur Dinamo e Kukësi të vihen përballë sot(e premte), në javën e shtatë të Superiores, një fitore do të vlente shumë, duke patur parasyshë sfidën e vështirë të kryesuesve.
Në këtë pikë, trajneri Shkëmbi e ka të qartë se renditja mund të përmirësohet ndjeshëm me një fitore përballë formacionit të Longos, që gjithashtu shpreson te rezultati. Dinamo vjen nga fitorja në Korçë, e verilindorët kanë mundur Vllazninë, mes tyre është vetëm një trepikësh, aq sa luhet në sfidën e së premtes.
Debuton të shtunën në pankinë e Laçit, trajneri i njohur Mirel Josa, që do të kërkojë të marrë fitoren e dytë radhazi për bardhezinjtë, përballë është Skënderbeu i vendit të fundit. Nuk kishte kundërshtar më të përshtatshëm për ta pritur brenda mureve të shtëpisë për teknikun, edhe pse në këtë ndeshje ka shumë nostalgji, sepse vjen ish-skuadra e tij në një situatë delikate.
Për Vllazninë është pikërisht momenti për tu shfaqur, sepse në Shkodër mbërrijnë kryesuesit e kampionatit, që kërkojnë arratinë në “Loro Boriçi”. Për Brdariç puna është e dyfishtë, të gjejë prekje morale, për të lënë pas humbjen me Kukësin e zgjidhjen taktike për të befasuar Tiranën. 5 pikë lëvizin mes dy formacioneve e kuqeblutë nuk mund të lejojnë një tjetër hap fals, sidomos në Klasike, pas së cilës atmosfera mund të ndryshojë në varësi të rezultatit.
Ende në kërkim të fitores së parë në kampionat, Partizani duhet të harrojë një javë të trazuar, kur përballë të ketë Egnatian. Daja nuk do të jetë në pankinë, i skualifikuar pas ngjarjeve në derbi, ndërsa edhe tifozët nuk do të mund ta mbështesin. Ndoshta pak qetësi do u bënte punë të kuqve, përballë Maganit e të tijve, që kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes me Teutën.
Pikërisht durrsakët duhet të mundin Kastriotin, për të reduktuar mundësisht distancën me kreun. Ndreu nga ana tjetër shpreson të largohet nga zona e rënies nga kategoria, por që ta bëjë në transfertën me kampionët në fuqi është, një mision i komplikuar./rtsh/