I pranishëm në studion e Star Sport mbrëmë ishte edhe Edmond Doçi. Trajneri i Vllaznia u-17 foli për rikthimin e Superligës. Ai veçoi në fjalët e tij klasiken, Tirana-Vllaznia duke vënë theksin tek performanca e shkëlqyer e kuqebluve, si edhe tek rasti “Da Silva”.
Ish-mesfushori tha: “Vllaznia më kënaqi me lojën që zhvilloi kundër Tiranës. Ishte një performancë që mungonte prej kohësh në transfertë e sidomos kjo merr vlera më shumë kur bëhet kundër skuadrës më të mirë të kampionatit.
Pavarësisht mund të jemi disi të zhgënjyer sepse u duk sikur lamë 2 pikë, duke parë atë çfarë paraqiti skuadra në fushë. Megjithatë jam shumë optimist që me një performancë të tillë dhe nëse mbahet ky ritëm, Vllaznia shumë shpejt do jetë në vendet e para.
Da Silva ? Të them të drejtën këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Mendoj se Brdariç veproi drejt sepse mori konfirmimin nga doktorët e skuadrës.
Besoj se edhe unë do veproja ashtu sepse realisht u prit disa minuta për t’u kuptuar gjendja e futbollistit. Por ai “shpërthimi” i tij tregon se ai ka ego për të luajtur dhe është një lojtar i rëndësishëm i ekipit”.
Endri ÇINARI