Nisja e mbarë e kampionatit të ri pritet që të ketë edhe një interes më të madh nga ana e tifozërisë kuqeblu për ekipin e Vllaznisë. Të paktën në rrjetet sociale po i bëhet një jehonë dhe publicitet takimit të së dielës ndaj Teutës dhe bëhet thirrje për të mbushur shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Në fakt tifozët nuk munguan as në ndeshjen e së dielës në Fier ndaj Lushnjës.
Ndonëse në një numër jo të madh, një grup tifozësh kanë sakrifikuar jo pak duke udhëtuar me automjetet e tyre për t’iu gjendur pranë skuadrës së tyre të zemrës. Kanë qenë ata të zakonshmit, Tuti, Gëzimi, Xhevati, Bardhi, Sela, Nadiri, Ndoci, Mondi e të tjerë të cilët nuk ngurruar për asnjë moment që të përkrahin futbollistët e skuadrës së tyre dhe natyrisht që në fund, i janë gëzuar fitores dhe trepikëshit të marrë. Vllaznia e sivjetme e përbërë me 90 për qind shkodranë, sigurisht që ka nevojë për mbështetjen e këtyre tifozëve dhe jo vetëm të atyre. Ndeshja e fundit e kampionatit të kaluar, duhet të përsëritet sërish. Jo për fatin pse u luajt por për mbushjen e stadiumit. Këtë sigurisht që e kanë në dorë këta futbollistë sepse tifozët aty janë dhe nëse binden për lojërat e bukura dhe rezultatet pozitive, nuk do jetë e nevojshme t’i thërrasin për të qenë në shkallët e “Loro Boriçit”.
© shkodrasport.com