HomeFUTBOLL - KATEGORIA E PAREINTERVISTA/ Florenc Farruku: Jo e lehtë të mbash mbi shpinë emrin e...

INTERVISTA/ Florenc Farruku: Jo e lehtë të mbash mbi shpinë emrin e kësaj ‘dinastie’

Sulmuesi i talentuar matjan Florenc Farruku i gëzohet ditës së lindjes, edhe për faktin se ka lindur pikërisht në Ditën Kombëtare të Amerikës. Me 4 Korrik 2023, ai mbushi plot 22-vjeç.Teksa i uruam ditëlindjen, këtë event të rëndësishëm të tij, i morëm edhe këtë intervistë. Ai ndihet krenar se i përket një dinastia futbolli matjan dhe jo vetëm, siç është ajo Faruku, dhe stërvitet pa reshtur për ta mbajtur me nder dhe lartësuar këtë emër.

Mbyllët një sezon ku vetëm ndeshja Play-out me Pogradecin, ju siguroi qëndrimin në kategorinë e parë. Cili është opinioni juaj në lidhje me ecurinë e Burrelit në këtë kampionat, dhe sipas jush a i kishte mundësitë ky ekip për më shumë?

Pavarësisht asaj çfarë ndodhi, Burreli në këtë kampionat ka qenë ndoshta ekipi për tu marrë shembull nga çdokush, sepse kemi qenë një ekip solid që kemi dhënë maksimumin të gjithë, duke filluar nga ne futbollistët, stafi dhe presidenca. Patjetër që ekipi kishte mundësi për më shumë, madje për të pretenduar për më lart dhe jo të përfundonin në rrezik rënie nga kategoria. Por duhet të kemi parasysh një faktor mjaft të rëndësishëm, që ndoshta jemi ekipi i dëmtuar më shumë nga albitrimi dhe ndëshkimet e padrejta, duke na vënë hera-herës në rrezik edhe mundësinë e ndërtimit të formacionit, ku në disa sfida kemi patur mungesa të rëndësishme, nga kartonët e verdhë dhe ato të kuq të lojtarëve.

Madje Burrelit i janë ndëshkuar disa herë edhe pjestarë të stafit teknik. Apo për të shkuar më tej kur kemi patur raste që ndeshja është shtyrë edhe afro 20’, derisa ka barazuar ekipi vendas, siç ka qenë rasti në Lushje, e të tjera si këto, që kanë ndikuar mjaft tek rezultatet e ekipit të Burrelit. Pavarësisht këtyre faktorëve, nuk dua që të heq aspak përgjegjësitë nga vetja dhe kolegët, pasi në disa ndeshje kemi patur mundësi për të dhënë më shumë, siç në shumë raste nuk kemi marrë atë që kemi dhënë. Por ky është futbolli prandaj është i bukur.

Si u vlerësua nga ana e ekipit “ndeshja e vitit”, ajo me Pogradecin, dhe si e përjetuat emocionalisht në fushë dhe emocionet pas saj?

Ndeshja me Pogradecin u vlërsua si një sfidë që duhej fituar dhe që ne si ekip kishim besim se do ta kalojmë me sukses. Me këtë besim dhe të motivuar për fitore u futëm në fushë dhe ja dolëm, pa mohuar meritat e ekipit kundërshtar, për ç’ka ai dha në fushen e lojës. Të them të drejtën gjatë javës para ndeshjes kemi patur shumë ulje-ngritje emocionale, sepse ndoshta për disa nga ne ishte hera e parë që mbanin gjithë atë përgjegjësi të madhe për një qytet futbolldashës.

Por falë asistencës shumë profesionale dhe motivuese të stafit teknik, që na dhanë një mbeshtetje maksimale, gjatë gjithë periudhës deri në zhvillimin e ndeshjes dhe nga fillimi e deri në fund të saj, kishin besim se do t’ja dalim me sukses. Pavarësisht së gjatë lojës patëm miksim emocionesh, shumë episode dhe ndodhi sa të bukura po aq dhe të frikshme, fundi i ndeshjes për ne ishte qershia mbi tortë, sepse i’a dolëm që të mbyllnim sezonin duke qëndruar në ligën e parë të kampionatit kombëtar të futbollit, ashtu siç në fakt e meritonim dhe falenderojm zotin që mundi dhe djersa jonë triumfoj mbi gjithçka.


Sipas jush a ka ndikuar në ecurinë e ekipit ndryshimi i stafeve gjatë kampionatit?

Të them të drejtën nuk është se ka ndikuar dhe aq shumë ndryshimi i stafit, sepse pothuajse i njejti staf ka qenë edhe në fazën e parë, por duhet evidentuar fakti se ardhja e Profesor Bubeqit, ishte një impuls shtesë dhe motivim për ne, pasi eksperienca e tij ndikoj shumë tek ekipi, në momentin që ai erdhi.


Jemi në një periudhë pauze, që menaxherët dhe stafet e ekipeve të ndryshme po e shfrytëzojnë për merkato. Si është situata tek ekipi i Burrelit?

Për momentin sipas informacioneve paraprake por të pakonfirmuara, nga Burreli kemi patur disa largime të lojtarve të formacionit bazë, ashtu siç dhe janë parë disa futbollistë të tjerë të vijnë këtu në Burrel. Por sa i përket merkatos dhe ardhjes se lojtarëve dhe konfigurimit të plotë të skuadrës, në dijeninë time presidenca dhe stafi po merren intensivisht me këtë punë dhe janë në bisedime me lojtarët që kanë qenë pjesë e ekipit dhe atyre që pretendojnë të bëhen pjesë e Burrelit sezonin e ardhshëm, dhe në ditët në vijim do shohim gjithçka për ekipin.

Po ju si individ, a keni patur ndonjë ofertë dhe ku pritet që të jeni sezonin e ardhshëm?

Për hir të së vërtetës, oferta kam patur por nuk dua që të mburrem e të them; që kam ndonjë ofertë shumë shumë serioze, por realiteti është, se këto ditë po merrem me studimin e disa prej këtyre ofertave, që ndoshta deri diku mund edhe të ndikojnë, saqë edhe mund të mos jem pjesë e Burrelit për sezonin e ardhshëm, por gjithçka do vendoset në ditët në vijim. Dëshira është të mos e lë skuadrën që më rriti dhe bëri futbollist, por duhet të pranojmë aktualitetin, se futbolli përveçse dëshirë dhe passion është edhe profesion dhe duhet shfrytëzuar në funksion të së ardhmes dhe familjes.


Pavarësisht pauzës, a po vazhdoni ti nënshtroheni ndonjë stërvitje individuale apo trajningu të organizuar?

Unë që nga mbyllja e kampionatit di të them se ndoshta pak ditë kam pushuar dhe i jam nënshtruar në vazhdimësi stërvitjes individuale, në mënyrë që të rritim profesionalisht, në të gjithë aspektet dhe po punoj për të përmirësuar ato mangësi që kam patur gjatë kampionatit të shkuar.

Gjatë sezonit të kaluar, keni qenë titullar i ekipit të Burrelit, madje keni shënuar gola mjaft diçiziv. A mendoni se jeni vlerësuar për atë që keni dhënë në fushë?

Di të them që në shtëpinë tënde ndihesh i vlërsuar dhe kur ndodhesh në momente jo të mira. Personalisht jam i kënaqur me vlerësimin dhe më shumë se me çdo gjë tjetër me golat që kam shënuar dhe vlerën që kanë patur, sepse ato kanë qenë shumë të rëndësishë për ekipin dhe për këtë kam qenë i vlerësuar dhe i respektuar, si nga ana e stafit teknik, ashtu edhe nga shokët e ekipit dhe në mënyrë të veçantë nga tifozëria, që për mua është vlerësimi më i madh dhe emocionues, që kam marrë prej tyre, si në Burrel ashtu edhe në transferta, pasi një grup i madh tifozësh na kanë ndjekur kudo që kemi shkuar dhe ne futbollistët jemi përpjekuar t’jua shpërblejmë me lojra të bukura dhe rezultate.


Cila ka qenë mbështetja e bashkisë për ekipin, dhe a pritet të vazhdojë edhe këtë sezon, dhe pritet të kemi donatorë të tjerë për skuadrën kët vit.

Mbeshtetja e ekipit nga bashkia ka qenë maksimale dhe mjaft korrekte, si nga trajtimi me paga, premio apo mbështetje në aspektet e akomodimit në hotele, rrugëtimit dhe shumë gjëra të tjera. Sa i përket donatorëve dhe mbështetjes së tyre për ekipin, nuk mund të flas sepse është diçka që nuk me takon mua.

Kur parashikohet që të nisë grumbullimi dhe stërvitja e ekipit për këtë sezon?

Besoj që nga mesi i Korrikut do të jenë ditët e para që ekipi do të vazhdoj stërvitjen dhe mbledhjen e lojtarëve dhe nga fillimi i Gushtit do jenë ditët e fillimit të fazës përgaditore, por deri atëherë është ende herët, për të folur me detaje.


Cili është pozicioni juaj natyral në fushë?

Pozicioni im natyral në fushë është sulmues, por edhe mesfushorin e krahut e preferoj. Por loja e futbollit është kolektive ndaj jam i gatshëm të jap kontributin tim në çdo sektor të fushë, përjashto portën, ngaqë Burreli luan futboll total ofensiv dhe difensiv dhe falë trajningut që kemi marrë çdo lojtar luan në çdo sektor të fushës. Natyrisht cilësitë individuale të çdo futbollisti, në sektor të ndryshëm të fushës bëjnë diferencën. Dhe është stafi teknik që bën shpërndarjen dhe balancimin e tyre, sipas skemave që ekipit i imponohet të luajë.

Si ndjeheni emocionalisht, teksa kemi parasysh se jeni trashëgues i një dinastie futbolli në Burrel dhe jo vetëm. Dhe sa përpiqeni për ta përfaqësuar denjësisht atë?

Të mbash mbi shpatulla emrin e një dinastie që thoni ju dhe konkretisht asaj FARRUKU është tepër e vështirë, sepse të flasësh për ikona si; Dali, Xhelal dhe Kastriot Farruku (nip i të cilëve jam), të cilët i kanë dhënë shumë futbollit jo vetëm në Burrel por në të gjithë Shqipërinë, për një të ri si unë, që jam në hapat e para të karrieres është privilegj dhe shton motivimin si dhe përgjegjegjësinë, që të jap maksimumin dhe të stervitem jashtëzakonisht shumë, që ndoshta të mund të arrij sado pak atë çka ato kanë dhënë për futbollin dhe shpresoj ta realizoj këtë mison që ta mbaj dhe trashëgoj me nder dhe lavdi këtë emër të madh të futbollit matjan në veçanti dhe atij shqiptar në përgjegjësi.

Faleminderit për intervistën!

Faleminderit, ju zoti Dedaj, që keni promovuar dhe dhënë zë futbollit matjan këto vitet e fundit, në valët e Radio-Tiranës dhe në gazeta dhe portale të ndryshme sportive.
Intervistoi: Martin DEDAJ

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments