Rinovim për Maignan për momentin nuk ka, e ardhmja e portierit francez duket larg Milanit, pas dështimit të marrëveshjes për kontratën e re. Kontrata e tij skadon në qershor 2026, çka e bën menjëherë objektiv të shumë klubeve, që kërkojnë një portier. Nga jashtë Italisë, klube si Chelsea dhe Bayern Munich janë në garë, ndërsa në Serie A, bardhezinjtë e ndjekin situatën e tij nga afër.

Edhe pa pritjen spektakolare ndaj Gatti, që e mbajti ndeshjen 0-0 në “Allianz Stadium”, javën e kaluar, talenti i Maignan ishte i njohur.

Francezi ka rikthyer formën e tij të shkëlqyer, duke bërë të harrohet mungesa e Donnarumma në Milanello. Me pagën aktuale prej 2.8 milionë eurosh, rinovimi nuk është i pamundur, mund të përfshijë rritje pa shkuar në shifra të larta.

Muajt e ardhshëm do të jenë të mbushur me biseda midis agjentëve të tij dhe klubeve të interesuara. Juventusi do të provojë të përfitojë, edhe pse Di Gregorio mbetet një portier i besueshëm. Nevoja për një “gardian” të ri lidhet kryesisht me kërkesën për lidership, cilësi që Maignan e ka dhe Juventusit i duhet me ngut./telesport/