Uli Hoeness, një figurë ikonike e Bayern-it të Mynihut ka folur për mundësinë e largimit të tij nga klubi pas më shumë se pesë dekadash në radhët e bavarezëve. I lidhur me Bayernin që nga viti 1970, Hoeness ka kaluar çdo rol të mundshëm, nga lojtar, te drejtues dhe president, por në moshën 73-vjeçare po shtohen zërat që kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i klubit.

Ish-bashkëlojtari i tij, legjenda e portës Sepp Maier, e tha hapur: “Uli, ndalu”, gjatë një aktiviteti të organizuar nga ‘Allgäuer Zeitung në Nesselwang’. Por, a do ta dëgjojë Hoeness këtë këshillë?

“Gjithmonë thonë se Rummenigge dhe unë ndërhyjmë vazhdimisht. Kjo nuk është e vërtetë,” deklaroi Hoeness gjatë ‘Munich Marketing Congress’.

“Momenti kur ne do të ndiejmë se Bayerni po ecën siç e imagjinojmë ne… ndoshta kjo është e gabuar, nuk e di. Por nuk mund të sillem ndryshe.

Së fundmi kam thënë: nëse nuk ju pëlqen më ajo që bëj, atëherë më duhet vetëm të më thoni. Do të largohem, me qetësi, drejt malit tim në Tegernsee,” shtoi ai me humor.

Fjalët e Hoeness pasqyrojnë një ndjenjë të fortë përkushtimi ndaj klubit që ai e ka shndërruar në një nga gjigantët e futbollit botëror, por edhe një vetëdije se çdo epokë, sado e lavdishme, ka një fund.