Vllaznia e femrave ka marrë edhe fitoren e dytë në kampionat. Mesditën e sotme ajo ka mundur me rezultatin e thellë 15-0 ekipin e Kinostudios në sfidën e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Një sukses ky që tregon për ambiciet e mëdha që kanë vajzat kuqeblu edhe në sezonin e ri.

Përballja ka nisur me gol dhe në minutën e 11-të ka qenë sulmuesja Klaudia Borci e cila do të dërgonte topin për herë të parë në rrjetën e portës mike, duke i lënë më pas vend edhe golave të tjerë. Vetë Borci do të shënonte edhe një gol tjetër në këtë pjesë të parë duke plotësuar dygolëshin e saj.

Nga ana tjetër, Megi Doçi ka shënuar plot 5 gola në këtë 90 minutësh, ndërsa Groves do të bëhej autorja e tre golave. Po ashtu Teresa Deda do të shënonte dy gola dhe të tjerët mbajnë “firmën” e Montenegros e Vuksanit, ndërsa do të kishte vend edhe për një autogol të Palajt.

Përfundimisht 15-0 dhe Vllaznia merr fitoren e dytë në kampionat, ndërkohë që ka edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur, atë ndaj Partizanit. Po sot, ka patur edhe një përballje në mes dy skuadrave të tjera rivale të Vllaznisë, Gramshit dhe Apolonisë e cila është mbyllur në barazim 1-1.(www.shkodrasport.com)