Iliria e Dritan Smajlit dhe Burreli i Samuel Nikajt e kanë mbyllur në barazim sfidën mes tyre e cila është luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Fushë- Krujës. Ndonëse matjanët kaluan dy herë në avantazh, ata nuk ia arritën të dalin me tre pikë nga kjo përballje.

Ka qenë futbollisti Patrik Fetaj ai që ka shënuar golin e parë të ndeshjes në minutën e 23-të dhe pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol, pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të barazuar.

Edhe në të dytën e njëjta histori, me Burrelin që e admnistron mirë rezultatin megjithatë në minutën e 74-të Jakubu do të barazonte shifrat në 1-1 për Ilirinë. Këto shifra do të zgjasnin vetëm pak sepse pesë minuta më vonë Rrapi do të shënonte golin e dytë për Burrelin.

U mendua se me këtë gol do të mbyllej i gjithë takimi, por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e 96-të Redi Veriu do të shënonte golin e barazimit për Ilirinë dhe në këtë mënyrë gjithçka do të mbyllej me shifrat 2-2 dhe dy ekipet që ndajnë nga një pikë.

Me këtë rezultat, të dy ekipet ruajtën pozicionet e tyre të mëparshme në renditje. Iliria ndodhet në vendin e katërt me 16 pikë, ndërsa Burreli i Samuel Nikajt është i pesti me tre pikë më pak.(www.shkodrasport.com)