✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Ekipi i Vllaznisë është skuadra që ka shënuar më shumë se kushdo pas 11 javësh të kampionatit, në edicionin 2025-26 të Superiores. Shkodranët kanë gjetur rrjetën plot 18 herë, e në këtë garë duke u ndjekur nga skuadra si Elbasani me 13 gola të shënuar dhe Dinamo e Bylis me nga 11 rrjeta në favorin e tyre. Ajo që bën përshtypje nga 18 golat e shënuar nga Vllaznia deri më tani, janë 10 futbollistë të ndryshëm që kanë gjetur minimalisht një herë golin deri më tani për kuqeblutë.
Kështu që nga mbrojtja në sulm, thuajse të gjithë kanë shënuar në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit. Duke nisur nga reparti i prapavijës, që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shënimin e golave. Ku Yago me dy gola të shënuar, i cili çuditërisht është edhe golashënuesi i dytë më i mirë i Vllaznisë e po ashtu edhe Bajrami, Gurishta e Hakaj, bëjnë që ky repart të ketë shënuar 5 gola për skuadrën. Mesfusha është disi më e “varfër” përsa i përket shënimit të golave.
Ku janë vetëm 3 të tillë nga futbollistë si Mala, Kallaku dhe Murataj, të gjithë vetëm me nga një gol të shënuar. Sulmi patjetër mban peshën e golave tek kuqeblutë, me Balajn që ka shënuar 7 herë e nga 1 gol kanë në llogarinë e tyre edhe Kastrati e Bismark. Me repartin e avancuar që ka gjetur 9 herë golin deri në javën e 11-të të Superiores. E ndërsa për të kompletuar 18 golëshin e Vllaznisë deri në këto momente të kampionatit, është edhe një autogol i Bylis në javën e 7-të të kampionatit.
Me Peraltan e mallakastriotëve që shënoi në portën e tij duke i dhënë fitoren 0-1 shkodranëve në atë takim. Pra, një larshmëri golash për ekipin e Martinit, i cili këtë sezon me skuadrën që drejton nuk vuan aspak për të dërguar topin në rrjetat e portierëve kundërshtarë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







