✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Futbollisti me origjinë nga Velipoja e Shkodrës- Leurei Ramaj ka shkëlqyer në ndeshjen e rradhës të kampionatit të Seria A për grupmoshën U15 ndaj Udinezes të fituar me rezultatin e pastër 4-0. Ai jo vetëm po luan si titullar i padiskutueshëm me këtë skuadër, por në ndeshjen e djeshme u shfaq edhe si golashënues.

Ndeshja nisi me dominim të plotë të Como-s, dhe që në minutat e para spikati Laurei Ramaj, mesfushori që hapi rezultatin me një gol të bukur me kokë. Pas një krosimi të saktë nga krahu, Ramaj u shpërblye për pozicionimin e tij inteligjent duke dërguar topin në rrjetë me një goditje të fortë dhe të kontrolluar, duke i dhënë skuadrës avantazhin.

Interesant është fakti se edhe dy gola të tjerë në këtë fitore të Comos ndaj Udinezes, janë shënuar nga të tjerë futbollistë me origjinë nga Shqipëria. Bëhet fjalë për Andrea Vrapin dhe Ndrec Saka, ndërsa goli i fundit është shënuar nga Calloni.

Kjo e djeshmja kësisoj ka qenë një “fitore shqiptarësh” të Comos dhe jo më kot, pas përfundimit të ndeshjes, Leurei Ramaj ka pozuar me njërin nga shokët e ekipit duke bërë shenjën e shqiponjës.

Por ajo që të bën përshtypja është neglizhenca e skautëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, për ta ndjekur Ramajn dhe për t’i bërë një ftesë për të luajtur me kombëtaren kuqezi. Në fakt vetë Leurei në një komunikim që ka patur pak kohë më parë me Gazeta “Shkodra Sport” e shprehte hapur dëshirën e tij për të veshur fanellën e Shqipërisë dhe është në pritje të një ftese nga stafi i kombëtares U15.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”