✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Një mungesë e sigurt për Vllazninë në ndeshjen e rradhës ndaj Partizanit do jetë Erdenis Gurishta. Mbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe kësisoj nuk do jetë pjesë e takimit ndaj Partizanit këtë fundjavë. Kjo pasi ndëshkimi me karton në duelin e fundit ndaj Dinamos, nuk ia lejon 30-vjeçarit të japë kontributin e tij në një takim të tillë. Ku më parë numri “2” ishte ndëshkuar edhe në ndeshjet ndaj Flamurtarit, Tiranës dhe Egnatias.

Në këtë mënyrë duke plotësuar numrin katër të ndëshkimeve me të verdhë, që automatikisht sipas rregullores bëjnë të jesh i pezulluar për ndeshjen e rradhës. E tashmë tek Vllaznia, Martini ka nisur të mendojë për zëvendësuesin e shkodranit në formacion për duelin shumë të rëndësishëm ndaj “demave”. Prova janë bërë me Krymin në prapavijë, me mesfushorin i cili ka luajtur edhe më parë në rolin e mbrojtësit. Por, një vendosje e Krymit në mbrojtje do varet vetëm nga forma që do shfaqin Dros dhe Qato.

Me dy mesfushorët që janë kthyer së fundmi nga dëmtimet dhe ende nuk janë në 100% të formës së tyre. Megjithatë opsionet nuk mungojnë për zëvendësuesin e Gurishtes, pasi në “pole” pret edhe Kuris e Pusi, që janë aktivizuar këtë sezon edhe si titullarë në rastet kur skuadra ka pasur mangësi. E një “shans” po ashtu mund të ketë edhe për Çelikoviç apo edhe Salen, me këtë të fundit që mund të aktivizohet në mbrojtje, por edhe në mesfushë në rast se do jetë Krymi futbollisti që do luajë në mbrojtjen me 3 që aplikon Martini.

Gjithsesi çdo gjë do “kristalizohet” me kalimin e ditëve për formacionin që do hedhë në fushë Martini ditën e dielë. Ku momentalisht dilemat ekzistojnë për teknikun 50-vjeçar, që duhet të bëjë “llogaritë” me formën fizike të disa lojtarëve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”