✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Një lajm i trishtë ka ardhur mëngjesin e sotëm për komunitetin e volejbollit shkodran. Në orët e vona të mbrëmjes së djshme ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçar një nga emrat e nderuar të Vllaznisë së viteve ’70, pikërisht Viktor Miraj. Një humbje e madhe kjo për familjen e tij por edhe për shokët e miqtë e sportit dhe jo vetëm.
Viktor Miraj ka lindur në Gruemirë më 30 shtator të vitit 1952 dhe në rininë e tij zgjedh të merret me volejboll. Bëhet pjesë e ekipit të të rinjve të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Tonin Bianku dhe spikat me talentin e tij përkrah emrave të tillë si Sandër Paloka, Viktor Jubani, Xhelal Haxhi, Bato Lashova.
Më pas do të kalonte tek ekipi i parë ku është stërvitur nga trajneri Tonin Bianku sërish, por edhe nga Mark Grimci e Ali Bushati. Ai do të ishte pjesë e Vllaznisë edhe në fundin e viteve ’70 dhe fillimin e viteve ’80 duke luajtur përkrah emrave të tillë si Gjino Mjeda, Mark Kroqi, Irfan Boriçi, Adrian Shiroka, Gjon Çoba etj. Ka luajtur në rolin e shuterit dhe është dalluar gjithmonë për paraqitjet e tij.
Pas viteve ’90 Viktori u largua nga Shqipëria duke jetuar për gati tre dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vitet e fundit u rikthye sërish në Shkodër. Por për fat të keq pa arritur të shijonte shumë jetën sepse një sëmundje e rëndë e cila iu shfaq muajin e fundit, bëri që ai t’i thotë lamtumirë të gjithëve para kohe.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e nesërme (e enjte) në ora 13:00. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Miraj për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe komunitetit të volejbolit shkodran për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi yt Viktor Miraj!







