✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla është rikthyer të shënojë sërish në kampionatin Primavera të futbollit italian me ekipin e tij Sassuolo. Ky është goli i tij i katërt në këtë kampionat për 17 vjeçarin e lindur në Shkodër në kampionatin e 20 vjeçarëve të Seria A në futbollin italian.

Duhet thënë se Kulla nuk e ka nisur si titullar këtë ndeshje ngaqë vetëm një seancë stërvitore kishte zhvilluar me ekipin për shkak të grumbullimit mee kombëtaren shqiptare. Ai është hedhur në fushë në minutën e 67-të nga ana e trajnerit të Sassuolos.

Dhe Kulla ia ka shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 86-të ai është çmarkuar mirë nga mbulimi i një mbrojtësi të Genoas dhe pa e parë fare portën, ka gjuajtur duke e dërguar topin në rrjetë. Ky ka qenë goli i fundit i ndeshjes që ka vulosur edhe rezultatin përfundimtar 4-1 në favor të Sassuolos.

Kjo ka qenë një fitore me shumë vlerë e arritur në transfertë ndaj Genoas, një prej ekipeve më të mira të kampionatit PRIMAVERA. Me trepikëshin e djeshëm, Sassuolo është ngjitur në kuotën e 20 pikëve dhe mban aktualisht vendin e shtatë në renditje, duke lënë poshtë vetes ekipe si Inter, Juventus e Milan.

Dhe Gabriel Kulla po e bën si duhet detyrën e tij duke shënuar dhe asistuar. Një sulmues që premton shumë për të ardhmen dhe si rrjedhojë edhe drejtuesit e Sassuolos e vlerësojnë maksimalisht atë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”