Opinion nga Ernest GJOKA

Për mendimin tim kupa tregoi edhe një herë interesin e madh të ekipive konkurrente, por sipas shikimit tim gjykoj se ekipet si Skënderbeu, Flamurtari, Tirana, Kastrioti, ndoshta dhe Vllaznia e Bylis, do të luftojnë për 4 vendet e gjysmëfinaleve. Në të dyja javët e kupës ka pasur ndeshje shumë të forta por edhe me nivel profesional. Këto ndeshje ndihmuan edhe për një qëllim tjetër ekipet: për t’i përgatitur edhe për fillimin e kampionatit duke bërë dhe testet për lojtarët e ardhur gjatë merkatos së dimrit, sepse kjo kohë e shkurtër që patën në dispozicion, ekipet e shfrytëzuan edhe për afrime e largime lojtarësh. Shumë ekipe morën lojtarë, por nga të gjitha ekipet mendimi im personal është që vetëm Flamurtari arriti dhe bëri një merkato shumë cilësore me dy lojtarë si Pejiç dhe Pezzo, kurse Skënderbeu bëri vetëm një goditje si Plaku duke pasur parasysh që Skënderbeu ka ekip të konsoliduar, ndërkohë disa ekipe të tjera lëvizën por brenda Superligës tone. Unë them gjithmonë sipas këndvështrimit tim, që lëvizjet e mëdha duke larguar shumë lojtarë dhe afruar shumë të tjerë nuk ndikojnë pozitivisht për të arritur objektiva që mund të kenë klubet. Bërja e ekipit duhet të jetë shumë e studiuar që në fillim të fazës kur ke më shumë kohë në dispozicion, kurse kjo kohë midis dy fazave duhet të jetë thjesht për stabilizimin e skuadres maksimalisht. Mund të operohet deri në dy lojtarë, po u bënë më shumë lëvizje atëherë do të ketë probleme sidomos për arritjen e marrjes së objektivave sepse çdo gjë ka kohën e vet dhe sidomos në futboll ku koha është një nga gjërat më të rëndësishme në bërjen e një ekipi. Megjithatë, unë mendoj që faza e dytë do të jetë një fazë me shumë emocione duke parë që janë disa skuadra që kërkojnë të dalin kampion apo të rreshtohen në tre vendet e para por edhe fundi i tabelës do të jetë një problem më vete për qëndrimin në Superligë, por e rëndësishme që përveç se duhet të prodhojmë futboll duhet që dhe të jemi sa më larg dhunës nëpër stadiume. Të mundohemi të jemi sa më të qytetëruar, të mundohen të gjithë aktorët që nga presidentët, lojtarët, gjyqtarët dhe sidomos tifozët, të jemi sa më qetë për të bërë ndeshjen e futbollit një argëtim për të gjithë.