Ndeshja e parë e fazës së dytë e kampionatit kombëtar të futbollit, ajo mes Laçit dhe Vllaznisë, do të luhet ditën e dielë. Kështu është vendosur nga Federata dhe drejtuesit e klubit shkodran janë lajmëruar për këtë tashmë. Ajo që mbetet për t’u saktësuar përveç orarit, është edhe vendi ku do luhet. Ekziston mundësia që të luhet në “Selman Stërmasi” ashtu si u luajt dy ditë më parë edhe ndeshja e kupës mes skuadrës laçiane dhe Skënderbeut. Në fakt, para ndërrimit të viteve, atëherë kur drejtuesit e Vllaznisë i hapën dyert Laçit për ta zhvilluar ndeshjen me Flamurtarin në “Loro Boriçi”, u diskutua që edhe ndeshja ndaj Vllaznisë do luhej po në Shkodër, me kusht që Laçi të gjitha ndeshjet e mbetura të kampionatit, t’i luajë në stadiumin “Loro Boriçi” pa paguar asnjë gjë. Kjo u diskutua megjithatë duket se gjërat kanë ndryshuar. Për momentin, edhe nëse do vendosej për t’u luajtur këtu, kjo do ishte në dilemë sepse tapeti i stadiumit është i mbuluar nga dëbora e cila tashmë është ngrirë dhe temperaturat e ulëta vazhdojnë të mbizotërojnë në këtë qytet. Çka do të thotë se me shumë mundëi, edhe për disa ditë të tjera, ajo nuk do bëhet për të luajtur.

www.shkodrasport.com