Besa ka gjetur shumë shpejt trajnerin e ri, të tretin në këtë sezon, për të vijuar punën e lënë në mes nga Shpëtim Duro i cili dha dorëheqjen pas ndeshjeve të kësaj jave në Kategorinë e Parë.

“Panorama Sport” mëson se Gugash Magani do të jetë trajneri i ri i skuadrës kavajase, duke u bërë tekniku i tretë i këtij edicioni pasi përveç Duros, skuadrën më parë e ka drejtuar edhe Emiljano Çela.

Trajneri i njohur ka qenë në bisedime në këto dy ditë me drejtuesit e klubit verdhezi dhe sot pasdite ka ardhur shtrëngimi i duarve për të filluar punën me ekipin që nga dita e nesërme. Ndeshja e parë e Maganit në drejtimin e Besës në këtë etapë të re do të jetë të hënën përballë Burrelit.

Kjo është etapa e katërt e Maganit të Besa, pasi e ka drejtuar këtë skuadër edhe në sezonet 2011-2012, 2019-2020 dhe 2022-2023.