Ish- trajneri i njohur Faruk Sejdini ka dalë hapur kundër rritjes së numrit të lojtarëve të huaj në futbollin shqiptar. Një gjë të tillë e ka shprehur në një prononcim të bërë për “Panorama Sport” ai ka folur pa doreza në lidhje me këtë fenomen.,
“Jam dhe do mbetem i mendimit që nuk e pranoj dot që në Shqipëri ekipet të mbushen me lojtarë të ardhur pa kriter, pa dallim ngjyrash apo origjine, ndërkohë që lojtarët shqiptarë mbeten jashtë. Nuk e pranoj këtë. Unë jam dakord që afrimet e huaja e emancipojnë futbollin, por vetëm deri në atë pikë sa të ndihmojnë zhvillimin, jo të bëhen pengesë për lojtarin e ri vendas.
Çfarë do bëjë një lojtar 18-vjeçar në Shqipëri? Nëse nuk i jepet hapësirë, ai ka vetëm dy rrugë, ose bëhet titullar në një ekip si Dinamo, Partizani, Tirana, Korça apo kudo qoftë, ose largohet. Dhe historia e futbollit shqiptar e ka treguar që kemi humbur lojtarë edhe 23–24 vjeç, që nuk kanë luajtur këtu dhe janë humbje për futbollin kombëtar. Sot nuk shohim prodhim vendi. Akademitë ose janë mbyllur, ose nuk prodhojnë.
Një akademi, sado e vogël, duhet të nxjerrë dy-tre lojtarë. Ndërkohë shohim lojtarë 17-vjeçar të huaj, të ardhur “për bukën e gojës”, që zënë vendin e një lojtari të akademisë. Kjo nuk shkon. Duhet të ketë një kufi dhe t’i jepet prioritet futbollistit shqiptar. Nëse merr një lojtar të huaj që realisht bën diferencën, jam dakord. Po ta marr shembull konkret te Dinamo, lojtari portugez Teikseria, është lojtar që sjell diçka reale. Por problemi është kur merr lojtarë mesatarë, që thjesht bllokojnë pesë lojtarë të rinj. Në atë rast, më mirë fut një 18-vjeçar të akademisë tënde. Unë do të isha, dhe jam, për një rregull që trajneri të jetë i detyruar të aktivizojë një 16 ose 17-vjeçar.
Nuk prishet as Dinamo, as Flamurtari, as Shkodra nga kjo. Përkundrazi, trajneri do të detyrohet të mbajë standarde, sepse i riu nuk futet për hatër, por për zhvillim. Kështu rritet konkurrenca reale. Këta lojtarë të rinj, edhe nëse stërviten në kushte të vështira, “me baltë”, siç themi ne, e asimilojnë lojën, rriten dhe ecin përpara. Ndërsa ne shpesh kërkojmë jashtë, kur i kemi këtu. Ndoshta nuk po e shpjegoj perfekt, por problemi kryesor është ky, nuk ka prodhim vendi.
Një shtëpi nuk mbahet pa mbjellë. Të gjithë marrin nga jashtë, por pa bazë nuk shkon. Ne nuk kemi bazë, nuk kemi “fidanishten”. Po t’i marrësh ekipet nga i pari te i fundit, nuk kanë prodhim vendi. Si ka mundësi që një qytet si Tirana të mos prodhojë dy lojtarë? Po, ka raste, por janë shumë të pakta. Pa bazë të fortë, nuk ka futboll të fortë. Dhe nuk fiton asnjë pikë më shumë duke marrë një lojtar nga Kameruni, Nigeria, Lituania apo Egjipti, nëse ai nuk bën realisht diferencën.
Po unë për këtë po e them dhe është një gjë e çuditshme në Shqipëri. Ndodh një gjë e habitshme! Po t’i marr të gjithë, unë jam si ju, si çdo njeri tjetër edhe me futbollin, se unë me futbollin jam rritur, me futboll do ta mbyll jetën, figurativisht po them. Dhe me të gjithë njerëzit, qoftë ish-futbollistë apo ish-sportistë, apo sportdashës dhe futbollistë, të gjithë janë dakord me atë që them unë. Specialistët, sigurisht, janë në studio, jo ata që punojnë në Federatë, se po shoh ata që punojnë në Federatë nëpër studio, sepse ato mirë do të flasin për Federatën sepse punojnë aty dhe marrin rrogën. Sigurisht, nuk them se ka të bëjë me ndonjë çudi.
Ai punon atje dhe do të marrë direktiva, sepse ne jemi mësuar të marrim direktiva. Nuk dalim kundër. Po të marrësh jashtë Federatës, këta që merren me sport, shef sporti, të gjithë janë me atë që them unë. Të gjithë, pa përjashtim, po e them qartë, si ta doni ju. Po është e turpshme. Kam parë që bëhen projekte për 15, 16 apo 17-vjeçarë nëpër rreth, por pse bëhet kur këtu është mbushur me të huaj. Po nuk është e pranueshme kjo! Nuk është e pranueshme. Unë e kuptoj që ka edhe talent, por jo ta stimulosh ta marrësh. Ke një gjashtëmbëdhjetë vjeçar, ka të drejtë të jetojë dhe të dimë, nuk jam që ta ndërpresim këtë, por jo ta injorojmë.
Për çfarë janë ata pesëmbëdhjetë vjeçarë, kombëtarja 15 vjeç, kombëtarja 16 vjeç, kombëtarja 18 vjeç? Ku do shkojnë ata? Po ma gjej dhe ku do shkojë ai që merret atje nga Gaboni, dhe vjen një nga Gaboni. Kur kam luajtur unë futboll, se gjithmonë e shkuara nuk është për t’u marrë shembull, kishte periudhat e veta. Ja në vitet që isha unë apo kush doni ju, Ilir Përnaska, Shyqyr Ballgjini, apo të tjerë. Mund të kemi djegur dhjetëra lojtarë sepse nuk kishte guxim asnjë trajner të hiqte Ilir Pernaskën dhe të fusë një lojtar tjetër edhe me dije, kurse sot ndodh që vjen një lojtar e ik një tjetër kurse atë kohë jo se kishte frikë, por nuk kishte më të mirë dhe që ta merrte vendin. Nuk është se atë kohë kishte parcelë e tani e kan shtruar me pllaka e nuk prodhon më. Jo, jo, prodhon toka por po ta mbash mirë, ta ujisësh, ta bësh mirë.
Matematika është e thjeshtë. Po e marr, sikur një qytet që të mos futem në Superiore. Po marr si shembull Kavajën. Sikur Kavaja të ketë nga 25 futbollistë, vetëm 10 të Akademisë vet, të shkollës kavajase, që unë e njoh mirë, duhet të dini që çdo njeri ka nga dhjetë vëllezër, shokë, miq se jeton në shkollë, në gjimnaz. Çdo njeri ka nga dhjetë veta. Atëherë bëjnë treqind veta, po treqind veta të shkojnë në progresion aritmetik, bëjnë gjashtëqind; sikur shtojnë ata treqind veta nga një njeri, bëjnë tre mijë veta.
Edhe ja ku erdhën njerëzit, familjarë, shokë shkolle, kështu, po të mbushim shkallët. Dhe këtu po marr vec një shembull. Edhe për politikën e vendit, punë e madhe, u morëm dy pikë më pak, u morëm dy pikë më shumë. Po punë e madhe. Po do të thoni ju, po gjithë bota kështu. Jo more, asnjëri nuk ka bërë, nuk e di, të marrësh pa fund lojtarë. Nga vitet 90 lojtarët shqiptarë i përzinin edhe pse ishin shumë të mirë sepse ishin ekstrakomunitarë, ndërsa ne mblidh ku ka e ku s’ka lojtarë. Kështu që, nuk e di, ndoshta u zgjata për këtë dhe flas me pasion, se më vjen keq që po shkon kjo situatë dhe shkallët e stadiumeve janë bosh.
Kjo është si historia me Nastradinin ku ja dëgjon zhurmën mbrapa. Gjirafa qesh e fundit sepse sa t’i vijë e qeshura te goja, ka mbaruar historia sepse e ka qafën e gjatë. Kështu jemi edhe ne, do ta dëgjojmë më vonë se çfarë do të ndodhë me këto rregulla që janë vendosur. Unë po flas për stadin që jemi ne, sepse s’po flasim për Arsenal, Bajern, Liverpul apo të tjerë”- është shprehur Faruk Sejdini.


