Vllaznia- Tirana jo vetëm në futbollin e meshkujve. Një sfidë interesante do të jetë edhe ajo e femrave që do të luhet këtë të dielë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ekipi bardheblu vërtetë është krijuar pak kohë më parë, por kërkon të thotë fjalën e saj që në pjesmarrjen e parë në kampionat.

Kjo do të thotë se do të tentojë të mundë Vllazninë dhe “t’i marrë fronin” asaj. Kuptohet që kjo gjë nuk i pëlqen drejtuesve kuqeblu të cilët konstatojnë edhe ndonjë “dëshirë” të njerëzve të caktuar në Federatë që duan të mbështesin Tiranën, Partizanin apo ndonjë ekip tjetër.

Presidenti i Vllaznisë Lazer Matija e kupton që gjërat po vështirësohen gjithnjë e më shumë, megjithatë është i bindur se skuadra e tij do ia dalë sërish të tregojë se mbetet “mbretëresha” e futbollit në vendin tonë. E thotë këtë edhe në një prononcim për “Shkodra Sport” kur shprehet:

“Të dielën do të luajmë për kampionat ndaj Tiranës. Ekipit i duhet të punojë në dy plane dhe kuptohet që i vështiësohet puna, sepse do ta mbajmë mendjen tek Champions League, por kemi një ndeshje kampionati ndaj një skuadre si Tirana që mund të na kthehet si rivale dhe për të shkuar sërish në Europë, duhet të mundim njëherë këto kundërshtarët këtu.

Nuk mund ta prekin kollaj ekipin tonë sepse është ekipi real. Jam i bindur se është edhe dëshira e shumë prej punonjësve të Federatës për të mos e dashur Vllazninë. Jo se kanë gjë me mua apo me ekipin, por i bren ajo sëmundja e vjetër për të mbështetur Tiranën apo Partizanin. Kjo gjë përcillet edhe në media, por ne do të ecim përpara dhe këto gjëra do të na bëjnë më të fortë.

Do të na detyrojnë të punojmë më shumë, për t’i treguar qysh këtë javë në ndeshjen me Tiranën se kush është Vllaznia realisht në futbollin shqiptar. Do t’i detyrojmë që edhe atëherë kur nuk duan ta përmendin Vllazninë, ta përmendin sepse do të jenë rezultatet që do t’i detyrojnë për këtë gjë”./SHKODRA-SPORT.COM/