Monday, February 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREE fortë me të fortët, Vllaznia dominon përballjet direkte me rivalët

E fortë me të fortët, Vllaznia dominon përballjet direkte me rivalët

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po zhvillon një sezon për t’u mbajtur mend në kampionatin shqiptar, duke konfirmuar hapur ambiciet për titull. Pas 24 javësh, kuqeblutë kryesojnë renditjen me 48 pikë, një bilanc që flet qartë për vazhdimësinë dhe pjekurinë e skuadrës. Shifrat janë në anën e shkodranëve: 32 gola të shënuar, sulmi më i mirë i kampionatit, dhe vetëm 17 të pësuar, mbrojtja më solide deri në këtë pikë të edicionit.

Forca e Vllaznisë nuk qëndron vetëm te statistikat e përgjithshme, por mbi të gjitha te mënyra se si ajo ka ditur të bëjë diferencën në përballjet direkte. Ashtu siç u pa edhe në ndeshjen e fundit, ku triumfoi 2-1 ndaj AF Elbasanit, skuadra shkodrane di të godasë në momentet kyçe. Këto sfida kanë qenë prova e vërtetë e karakterit të liderit dhe Vllaznia i ka kaluar me sukses.

Ndaj Elbasanit, ekipi i drejtuar nga trajneri Martini ka regjistruar dy fitore, 1-0 dhe 2-1, si dhe një humbje minimale 1-0. Ndeshje të luftuara, të vendosura nga episode, ku kuqeblutë kanë treguar pjekuri taktike dhe qartësi në menaxhimin e rezultateve. Pikërisht këto detaje bëjnë diferencën në një garë kaq të fortë për kreun.

Edhe përballë KF Egnatia, një tjetër rival direkt për titull, Vllaznia ka treguar epërsi. Dy fitore të pastra, 2-0 dhe 1-0, si dhe një barazim 2-2 në transfertën e vështirë të Rrogozhinës, dëshmojnë se shkodranët jo vetëm fitojnë, por edhe kontrollojnë lojën ndaj kundërshtarëve më të fortë. Qëndrueshmëria në mbrojtje dhe efikasiteti në sulm kanë qenë armët kryesore.

Statistikat janë dominuese edhe ndaj FC Dinamo City. Përballë kryeqytetasve, Vllaznia ka një humbje 3-1, por ka reaguar me dy fitore të rëndësishme, 1-0 dhe 0-2. Këto rezultate tregojnë një skuadër që di të mësojë nga gabimet dhe të rikthehet më e fortë, duke imponuar ritmin dhe filozofinë e saj të lojës.

Në tërësi, sezoni 2025-26 po vulos identitetin e një Vllaznie pretendente serioze. Dominimi në statistika, loja e organizuar dhe superioriteti në përballjet direkte ndaj rivalëve kryesorë janë sinjale të qarta. Nëse ruan këtë ritëm dhe këtë ekuilibër mes repartit ofensiv dhe atij defensiv, Vllaznia jo vetëm që do të mbetet në krye, por do të jetë kandidatja kryesore për të ngritur trofeun në fund të sezonit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments