Të dy ata kanë luajtur në periudha të ndryshme me Vllazninë. Njëri pak më gjatë dhe duke lënë shenja me fanellën kuqeblu dhe tjetri më shkurt dhe pa dhënë ndonjë kontribut kushedi se çfarë. Të dy ata tashmë janë trajnerë dhe madje i dyti i ka zënë vendin të parit tek Liria e Prizrenit. Dhe duket se ka qenë ky shkaku i një debati të fortë në mes Klodian Duros dhe Liridon Lecit në studion e “Dueli Sportiv”.
Debati ka kaluar në gjëra në personale, teksa ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare i ka treguar Liridon Lecit nivelet në të cilat ai ka luajtur. Duro thekson se ka luajtur kundër Milanit dhe Manchester City-t, duke përdorur edhe ironitë.
“Unë i kam bërë gol Manchesterit, ky do bie te niveli im. Unë kam drejtuar Feronikelin dhe Gjilanin, ky nuk bie te niveli im me Rahovecin dhe Flamurtarin. Nuk të merr njeri te ai nivel, janë superiorë. Feronikeli ka sjellë Milanin në Kosovë. Kundër Milanit ka luajtur Duro
Ronaldinho, Kaka, i ke parë në televizor ti? Kam luajtur live unë. Ky është niveli im. Robinho, Manchester City… i sheh vetëm në televizor ti. Siç më ke parë edhe mua. Thoje: ‘oh ta shoh pak këtë Duron, o çfarë goli Duro’. Ky është niveli i Duros. Tek Kombëtarja, Ronaldo, Portugali, Shqipëri, Duro, 0-0. Gol Duro”, tha Klodian Duro gjatë debatit duke ironizuar karrierën e Lecit.
Ky i fundit ndërkohë është shprehur se do ta dërgojë në Gjykatë ish- mesfushorin e kombëtares shqiptare për shumë të pavërteta që ka thënë në adresë të tij.


