U projektua në fillim të sezonit të ishte ai trajneri i KF Shiroka për sezonin 2025-2026 dhe madje më 2 gusht u prezantua zyrtarisht nga drejtuesit e klubit, por në fakt vetëm ditët e fundit ai e ka marrë “de facto” këtë detyrë.
E kemi fjalën për trajnerin Ardit Mani i cili ka marrë timonin e kësaj skuadre në këtë fund- sezoni duke qenë trajneri i katërt që e drejton atë këtë sezon. E ka drejtuar atë në ndeshjet ndaj Sopotit dhe të Erzenit dhe me siguri do ta drejtojë deri në fund, me shpresën e madhe të arritjes së objektivit, ngjitjes në kategorinë e parë.
Në fakt çështja e trajnerit u kthye në një “telenovelë” tek kjo skuadër. Në gusht e nisi Mani si trajner i parë, por pa kaluar shumë kohë këtë detyrë e mori italo- argjentinasi Matias Tatangelo i cili e drejtoi skuadrën deri në fund të dhjetorit.
Në ditët e para të janarit u prezantua si trajneri i ri i Shirokës portugezi Andre Jasmins i cili në fakt qëndroi vetëm dy javë në Shkodër sepse në adresë të tij erdhi një ofertë e mirë nga Omani dhe drejtuesit e klubit ranë dakord për ta transferuar atje. Në vend të portugezit në ditët e fundit të janarit erdhi italiani Emiliano Bonazzoli, por edhe ai nuk paska qenë e thënë të qëndronte gjatë sepse u largua në fund të shkurtit.
Dhe tashmë në pankinë është shkodrani Ardit Mani. Në fakt ai aty ka qenë që në fillim të sezonit, duke bërë edhe detyrën e drejtorit teknik, të zëvendëstrajnerit apo dhe ndonjë tjetër. Tashmë do të ketë edhe përgjegjësinë që përmes play-off ta çojë Shirokën në kategorinë e parë dhe nëse kjo arrihet, kuptohet që edhe ai do të ketë meritat e tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


