Vllaznia futsall pas barazimit 5-5 javën e kaluar në kryeqytet ndaj Tiranës rivale, sot ka marrë një tjetër rezultat edhe më të mirë dhe sërish në transfertë. Kuqeblutë kanë fituar me shifrat 5-4 në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas dhe si rrjedhojë kryesojnë të vetëm renditjen e kampionatit.
Takimi ka nisur më mirë për shkodranët që shënojnë dy gola me anë të Semir Gokajt dhe Alsid Tafilit. Më pas reagojnë vendasit dhe Nelaj fillimisht shënon me një penallti dhe më pas është po ka futbollist do të shënonte sërish nga loja duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me shifrat e barabarta 2-2.
Pjesa e dytë do të ishte një dramë e vërtetë. Flamurtari duke mos u pajtuar me këtë rezultat, hidhet në sulm dhe do të shënonte edhe dy gola njëri pas tjetrit me anë të Toska dhe Leci. Një përmbysje e çmendur nga 0-2 në 4-2 dhe kjo krijoi përshtypjen se do të ishin vlonjatët fitues të ndeshjes, por jo.
Vllaznia tregon forcën e saj dhe do të bënte të pamundurën ndoshta duke shënuar tre gola. Fillimisht me Denis Çokajn duke ngushtuar shifrat në 4-3, më pas është Tafili që do të barazonte 4-4 dhe në fund goli i Saimit Hysenit do t’i jepte asaj fitoren me shumë vlerë 5-4.
Pas javës së katërt të kampionatit, mee 3 fitore dhe 1 barazim Vllaznia ka arritur të grumbullojë 10 pikë dhe kryeson me meritë e vetme renditjen e kampionatit të futsallës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


