Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vijon të mbetet një nga protagonistet kryesore të Kupës së Shqipërisë në vitet e fundit, duke ndërtuar një ecuri të qëndrueshme dhe konkurruese. Në pesë sezonet e fundit, skuadra shkodrane ka qenë vazhdimisht në fazat vendimtare të turneut, duke konfirmuar ambiciet dhe traditën e saj në këtë kompeticion.
Kulmi i kësaj ecurie erdhi në edicionin 2020-2021, kur kuqeblutë arritën të fitonin trofeun pas një finaleje të luftuar ndaj Skënderbeut, të mbyllur me rezultatin minimal 1-0. Ky sukses u pasua edhe në sezonin 2021-2022, ku Vllaznia tregoi sërish forcën e saj, duke triumfuar në finale ndaj Laçit me shifrat 2-1 pas kohëve shtesë, në një përballje që ishte e luftuar në maksimum.
Në dy edicionet pasuese, 2022-2023 dhe 2023-2024, rrugëtimi i Vllaznisë u ndal në gjysmëfinale. Fillimisht ishte Egnatia që i eliminoi shkodranët, ndërsa një sezon më pas ishte Dinamo që i ndali, duke vijuar më tej për të fituar edhe trofeun. Këto eliminime treguan se konkurrenca në Kupën e Shqipërisë është rritur dhe se skuadrat po e marrin shumë seriozisht këtë kompeticion.
Këtë të enjte, Vllaznia rikthehet sërish në një tjetër gjysmëfinale, e pesta radhazi në këtë kompeticion, përballë Dinamos. Ndeshja merr një rëndësi të veçantë për skuadrën e drejtuar nga Martini, jo vetëm për objektivin e finales, por edhe për të kërkuar një reagim pas eliminimit të sezonit të kaluar ndaj të njëjtit kundërshtar.
Përballja ndaj Dinamos do të tregojë nëse Vllaznia ka arritur të ruajë nivelin dhe ambicien për të qenë sërish pretendente serioze për trofeun. Një kualifikim në finale do të ishte i treti në pesë sezonet e fundit, një tregues i qartë i vazhdimësisë së ekipit në këtë turne dhe një mundësi për të rikthyer Kupën në Shkodër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


