Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Skuadra e Vllaznisë nuk po kalon një moment të qetë në kampionat, pasi brenda pak ditësh humbi mundësinë për të luajtur finalen e Kupës së Shqipërisë dhe më pas u mposht nga Elbasani, duke i dorëzuar kreun e renditjes së Superiores. Në këtë klimë presioni dhe kritikash, në krah të ekipit kanë dalë ultrasit kuqeblu.
“Vllaznit Ultras” janë shfaqur në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” gjatë seancës stërvitore në prag të sfidës me Bylisin, duke dhënë një mesazh të fortë mbështetjeje. Me kore dhe duartrokitje, tifozët kanë motivuar skuadrën në një moment delikat të sezonit, duke kërkuar reagim dhe kthesë që do ta mbajë Vllazninë në garë për titullin kampion.
Momenti më prekës i kësaj mbështetjeje ka qenë ai kur grupimi i tifozëve thirri në kor emrin e Edi Martinit. Një gjest i tillë ka bërë që trajneri kuqeblu të mos arrijë të fshehë emocionet dhe u përlot përballë këtij gjesti.
Tekniku kuqeblu ndaloi për disa çaste stërvitjen dhe, së bashku me lojtarët, falënderoi tifozët me duartrokitje. Një skenë që tregon lidhjen e fortë mes skuadrës dhe tifozërisë, në një moment ku uniteti mund të bëjë diferencën në fazën vendimtare të sezonit.v
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


