Friday, May 15, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- gjimnastin e Vllaznisë, David Luka

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- gjimnastin e Vllaznisë, David Luka

Shkruar nga Gjergj KOLA

Shumëkush ndoshta e mban mend si mësues, pedagog, studiues apo dhe drejtor i Radio Shkodrës për shumë vite, por në fakt ndoshta pak vetë e dinë që David Luka ka qenë edhe një gjimnast shumë i mirë teksa ka shfaqur talentin e tij në këtë sport për disa vite me rradhë duke përfaqësuar me dinjitet emrin e Vllaznisë së Shkodrës.

Po ndalemi sot tek ky personazh i njohur, sepse kjo ditë përkon me atë të 91 vjetorit të lindjes së tij dhe pikërisht për këtë arsye Gazeta “SHKODRA SPORT” po jua risjell sërish në vëmendje atë.

David Luka ka lindur në Shkodër më 15 maj 1935 dhe në moshën 15 vjeçare, pra nnë vitin 1950 vendos të merret me sportin e gjimnastikës dhe menjëherë dallohet për cilësitë dhe aftësitë e tij. Dy vjet më vonë, pra në vitin 1952, ai do të bëhej edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar.

E ka përfaqësuar denjësisht ekipin e Vllaznisë në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe në çdo garë që ka marrë pjesë, është renditur në gjashtëshen e sportistëve më të mirë, duke spikatur në këtë mënyrë për vlerat dhe talentin e tij. Por në vitin 1955, pikërisht kur ai ishte vetëm 20 vjeç dhe në kulmin e formës së tij, detyrohet ta lërë këtë sport për arsye politike dhe biografike.

Një vendim shumë i dhimbshëm për të sepse sapo kishte nisur të arrinte në nivele ndërkombëtare në këtë sport, por nuk ishte e thënë që ta vazhdonte më tej. Megjithatë për Davidin këto vite kanë mbetur gjatë në memorin e tij si ndoshta vitet më të bukura të rinisë së tij.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, David Luka u nderua nga Bashkia Shkodër me titullin “Mirënjohje” si një prej gjimnastëve më të mirë të shekullit të Vllaznisë, pikërisht për atë kontribut të dhënë prej tij për këtë sport.

Përpos sportit ai ka dhënë një kontribut shumë të madh në fushën e mësuesisë dhe pedagogjisë me studimet e tij, ndërkohë që ka qenë edhe drejtor në Radio Shkodra duke u treguar edhe aty një njeri shumë korrekt dhe i respektuar nga të gjithë. Ka ndërruar jetë më 13 janar 2020 në moshën 85 vjeçare.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments