Ish- futbollisti i njohur Redi Jupi ka analizuar situatën e skuadrave në “Final 4”, avantazhet dhe disavantazhet e tyre dhe si rrjedhojë ka dalë në konkluzionin se Egnatia konsideohet favoritja kryesore për fitimin e titullit kampion këtë sezon. Një gjë të tillë e ka shprehur në një intervistë për “Panorama Sport” ku është shprehur:
“Jam shprehur gjatë gjithë sezonit, pavarësisht rezultateve të përjavshme, se Dinamo dhe Egnatia kanë ekipet më cilësore në kampionat. Kjo javë tregoi pikërisht këtë gjë në mënyrë të qartë. Por, të them të drejtën, nuk e mendoja që diferencat të ishin kaq të mëdha dhe kaq të dukshme në fushë. Shpresoj që të ketë qenë thjesht një ditë jo e mirë e Elbasanit dhe Vllaznisë, në mënyrë që në vazhdim të kemi ndeshje më të ekuilibruara dhe më interesante për kampionatin.
Skuadra më e favorizuar në këtë pikë mbetet Egnatia. Unë mendoj që Dinamo ka skuadrën më të mirë në aspektin e cilësisë së lojtarëve, por diferenca në pikë e krijuar gjatë kampionatit i ka hequr një mundësi shumë të madhe për të qenë realisht pretendente kryesore deri në fund”.


