180 minutat e fundit të sezonit kanë një peshë të jashtëzakonshme për Vllazninë, pasi në to luhet i gjithë sezoni i kuqebluve dhe mundësia më e mirë për të thyer “tersin” çerekshekullor pa titull kampion. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Vllaznisë, Ilir Kepa, ka analizuar situatën aktuale të skuadrës shkodrane nga Belgjika.
Ish-fantazisti ndalet te problematikat që, sipas tij, po shfaq ekipi, duke theksuar se kuqeblutë duken “difektozë” në repartin ofensiv. Kepa analizon edhe humbjen ndaj Dinamos në “Final 4”, një disfatë që komplikon objektivin për titull, por ai beson se Vllaznia e ka ende fatin në duart e saj dhe këtë duhet ta tregojë në sfidën vendimtare ndaj Egnatias.
Kepa, Vllaznia humbi 0-2 ndeshjen e parë të “Final 4” ndaj Dinamos. Si e analizoni këtë sfidë?
Nuk dua ta shoh aq negativisht sa po flitet këto ditë në opinion, por padyshim që Vllaznia duhej të bënte shumë më tepër. Ekipi e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi 2-3 raste të mira për gol, por vetëm në pjesën e parë. Në të dytën, Dinamo u tregua më e qetë, më pragmatike dhe i shfrytëzoi maksimalisht momentet për të goditur kuqeblutë. Është një humbje që lë shije të hidhur, por nuk shoh probleme të mëdha te Vllaznia, përveç një elementi të rëndësishëm.
Çfarë nuk po funksionon te skuadra momentalisht?
Sipas mendimit tim, sulmi po zhgënjen. Prej disa javësh skuadra vuan shumë në metrat e fundit. Është e parrezikshme, e lexueshme dhe shumë e ngadaltë në manovër. Për mua, mbrojtja dhe mesfusha janë “OK”, ndonëse kanë disa mangësi të vogla që mund të rikuperohen. Më vjen keq ta them, sepse vlerat e tij janë të padiskutueshme, por Balaj më duket jashtë forme në këto momente vendimtare. Ndoshta ka nevojë për pushim që të rikthehet në nivelin e duhur, por këtë e di më mirë Martini me stafi n e tij. Gjithsesi, mendoj se këtu po “çalojnë” kuqeblutë, ndryshe nga pjesa më e madhe e sezonit kur sulmi ishte pika më e fortë e ekipit.
Si e shihni nga larg situatën te Vllaznia? A ka vend për optimizëm?
Nga ato që kam dëgjuar nga miqtë e mi në Shkodër, situata nuk duket shumë pozitive. Edhe opinionet që kemi dëgjuar së fundmi nuk të mbushin me shumë shpresë. Por unë besoj se ata që flasin hapur, e bëjnë sepse ia duan të mirën Vllaznisë. Megjithatë, Vllaznia dhe Shkodra kanë treguar gjithmonë se në momentet më të vështira dinë të reagojnë. Kjo skuadër ka mentalitet dhe histori. Prandaj besoj se do t’i mbledhë forcat, do të harrojë problemet jashtë fushe dhe do të përqendrohet te objektivi madhor.
Sa ndikon kjo humbje në garën për titull?
Humbja me Dinamon i komplikon shumë gjërat. Tani çdo minutë duhet luajtur në maksimum dhe nuk ka vend për asnjë neglizhencë. Çdo gabim mund të jetë fatal. Përballë Egnatias do të jetë edhe më e vështirë. Është një skuadër me eksperiencë, shumë sulmuese dhe tepër e rrezikshme, siç e tregoi edhe ndaj Elbasanit. Ka cilësi të mëdha dhe mund të të ndëshkojë në çdo moment, ndaj Vllaznia duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe perfekte në detaje.
Çfarë duhet të bëjë skuadra në këto dy ndeshje finale të sezonit?
Vllaznia nuk duhet të shohë rivalët, por vetëm veten. Duhet të nxjerrë mësime nga gabimet dhe të përmirësojë ato pika ku ka çaluar. Besoj se Martini dhe stafi e dinë shumë mirë ku duhet ndërhyrë, sepse përndryshe mund të jetë tepër vonë për rikuperim. Skuadra duhet të fokusohet vetëm te loja e saj dhe të mos ndikohet nga ato që thuhen jashtë fushe. Përgjigjen duhet ta japë në fushë dhe të tregojë vlerat që ka. Vllaznia e ka ende fatin në këmbët e saj.
Besoni se mund ta fitojë titullin?
Jam shumë i bindur që Vllaznia do të tregojë një fytyrë tjetër ndaj Egnatias. Skuadra e ka ende gjithçka në duart e saj dhe kjo është gjëja më pozitive. Fati i titullit varet nga vetë shkodranët dhe jo nga ekipet e tjera, ndaj nuk ka vend për justifikime. Si shkodran dhe ish-futbollist i Vllaznisë, optimizmi nuk më humbet kurrë. Unë besoj te Vllaznia, te Martini dhe te fakti që mund ta rikthejnë titullin në Shkodër. Kanë mbetur vetëm dy ndeshje dhe tani është momenti që të japin gjithçka për suksesin final.


