Trajneri i njohur i futbollit Agim Canaj është i mendimit se skema e kampionatit me “Final 4” është një dështim dhe ajo nuk duhet të funksionojë më në sezonet e ardhshme. Ai gjithashtu është shprehur në një prononcim për “Panorama Sport” se FSHF duhet të shtojë numrin e skuadrave pjesmarrëse në Superiore.
“Ka ardhur momenti pse në “Final Four” me zerim pikësh ishte një dështim për mendimin tim, sepse në pesë-gjashtë ndeshjet e fundit ka shumë lëvizje. tolerime dhe aleanca që dëmtojnë garën dhe favorizojnë ekipe të caktuara. Futbolli nuk duhet të jetë kështu. Futbolli duhet të jetë emocion, duhet të ndjesh humbjen dhe fitoren.
Me këtë sistem, çdo gjë barazohet dhe humbet emocioni. Edhe përgjysmimi i pikëve solli një garë më të mirë, por në fund problemi mbetet, kishte sërish tolerime dhe aleanca që ndikuan në garë dhe sollën sërish zhgënjim në 5-6 javët e fundit. Ka shumë skuadra që nuk dallohen më mes atyre të Final Four dhe atyre të rënies nga kategoria. Në fund diferenca që bën futbolli është kur luhet ndershëm dhe kur jo.
Në shumë vende përdoren sisteme me dy ose tre faza dhe shtim skuadrash, dhe kjo funksionon më mirë. Mendoj se duhet të shkohet në 14 skuadra me tre faza dhe play-out, për ta bërë garën më të fortë. E kemi pasur dikur diçka të tillë dhe mendoj se ka ardhur koha të bëhet, të ndahet më pas në dy grupe dhe kështu do të ketë garë sepse skuadrat do të luftojnë për të kapur pjesën lart të titullit, ose për të luftuar për të mos rënë”- është shprehur Canaj.


