Wednesday, June 3, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEKSKLUZIVE/ Kampion i trefishtë i vendit, mbrojtësi shkodran pritet të bashkohet me...

EKSKLUZIVE/ Kampion i trefishtë i vendit, mbrojtësi shkodran pritet të bashkohet me ish-trajnerin e tij

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas katër sezonesh të mbushura me suksese në Rrogozhinë, Abdurrahman Fangaj duket gjithnjë e më pranë largimit nga Egnatia. Mbrojtësi shkodran, një nga futbollistët më të spikatur në repartin defensiv të kampionatit shqiptar gjatë viteve të fundit, pritet të ndryshojë ambient në këtë merkato vere, teksa destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë Teuta.

Sipas asaj që mëson “Shkodra Sport” pranë burimeve të vetë futbollistit, bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe Fangaj shihet si një nga objektivat kryesorë të durrsakëve për sezonin e ri. Një rol të rëndësishëm në këtë operacion po luan edhe trajneri Edlir Tetova, i cili ka marrë drejtimin e Teutës dhe konsiderohet një admirues i hershëm i cilësive të 28-vjeçarit.

Tetova e njeh shumë mirë Fangajn nga eksperienca që të dy kanë pasur tek Egnatia dhe e sheh atë si një element me eksperiencë, karakter dhe mentalitet fitues, cilësi që mund të ndihmojnë ndjeshëm Teutën në objektivat e sezonit të ardhshëm. Për këtë arsye, tekniku ka insistuar që drejtuesit e klubit të bëjnë maksimumin për të siguruar shërbimet e mbrojtësit shkodran.

Një tjetër faktor që po e afron Fangajn me durrsakët janë edhe kushtet ekonomike që ofron klubi bregdetar. Teuta duket e vendosur të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe është e gatshme t’i ofrojë futbollistit një kontratë të rëndësishme, çka e bën transferimin mjaft tërheqës për të. Pas një cikli të suksesshëm me Egnatian, ku fitoi tre tituj kampionë radhazi dhe u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, Fangaj duket gati për një sfidë të re në karrierën e tij.

Nëse transferimi konkretizohet, Teuta do të bëhet skuadra e pestë në karrierën e mbrojtësit. Më herët ai ka veshur fanellat e Tërbunit, Laçit, Vllaznisë dhe Egnatias, duke lënë gjurmë në secilin prej këtyre ekipeve. Tashmë mbetet të shihet nëse palët do të hedhin firmat zyrtare në ditët në vijim, por sinjalet tregojnë se Fangaj është gjithnjë e më pranë një kapitulli të ri në Durrës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments